Sida shkaktohet nga virusi HIV. Kjo sëmundje ka shkaktuar më shumë se 20 milionë vdekje në gjithë botën. Në Afrikë, kontinenti që është prekur më shumë prej saj, afro 30 milionë njerëz jetojnë me HIV ose sidë, mes të cilëve 3 milionë nën moshën 15 vjeçare.
Presidenti George W. Bush i ka kërkuar Kongresit amerikan që të akordojë 15 miliardë dollarë gjatë 5 vjetëve të ardhshëm për të luftuar përhapjen e Sidës dhe për t’u kujdesur dhe trajtuar ata që kanë HIV ose Sida. Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara “e kanë për detyrë që ta luftojnë këtë krizë të rëndë të shëndetit publik”.
“Që nga janari 2001, Amerika ka shtuar fondet për të luftuar SIDË-n jashtë Shteteve të Bashkuara me afro 100 për qind. Ne kemi premtuar që tani mbi 1 miliardë e gjysëm dollarë, për fondin botëror për të luftuar sidën dhe sëmundje të tjera ngjitëse. Është shumë më tepër se shuma që ka dhënë secili nga vendet e tjera”, tha Presidenti.
Ai shtoi se megjithëse Sida paraqet një rrezik të tmerrshëm, ajo mund të parandalohet dhe kurohet:
“Në Uganda, Presidenti Yoweri Kaguta Museveni ka filluar një program të gjerë në vitin 1986 me një strategji parandaluese që e vë theksin tek moskryerja e marrëdhënieve seksuale para martesës dhe besnikëria martesore, po ashtu edhe tek përdorja e prezervativëve, për të parandaluar transmetimin e HIV-it. Rezultatet janë inkurajuese. Përqindja e infeksioneve me sida në Uganda ka rënë ndjeshëm që nga viti 1990”, tha ai.
“Lufta kundër Sidës në shkallë botërore, është një ndërmarrje e madhe dhe e vështirë”, tha presidenti Bush.
“Megjithatë kjo kauzë i ka rrënjët në detyrimin më të thjeshtë moral. Kur shohim këtë lloj vuajtjeje që mund të parandalohet, kur shohim se si një sëmundje e tillë e rëndë hap varre dhe lë fëmijë jetimë në një kontinent të tërë, ne duhet të veprojmë”.
Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara që të kombinojnë parandalimin me kurimit për të ndihmuar njerëzit që janë prekur tashmë me Sida. //kk//