Pritet që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të marrë sot në shqyrtim një version të ri të projektrezolutës për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Irakut, pasi Shtetet e Bashkuara ranë dje dakord për ndryshime të mëtejshme. Mesa duket, ndryshimet kanë për qëllim të zhdukin shqetësimet e disa vendeve anëtare të Këshillit, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, të cilat kërkojnë një rol më të madh të Kombeve të Bashkuara në procesin politik të Irakut.
Zyrtarë amerikanë thonë se parashikojnë që votimi për versionin e fundit të projektrezolutës së paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja, të mbahet nesër. Projektrezoluta parashikon që koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të mbajë kontrollin e Irakut, derisa atje të marrë pushtetin një qeveri e njohur nga komuniteti ndërkombëtar.// lk //