Lidhje

Konferenca  për zgjedhjen e qeverisë së përkohshme në Irak do të mbahet në korrik - 2003-05-21


Kryeadministratori civil amerikan në Iraq, Paul Bremer, tha se parashikon që konferenca kombëtare për zgjedhjen e një qeverie kalimtare irakiane, të mbahet nga mesi i korrikut, një muaj më vonë se ç’ishte planifikuar. Zoti Bremer u tha të merkurën gazetarëve gjatë vizitës në një burg të Bagdadit, se bisedimet vazhdojnë me udhëheqës irakianë për organizmimin e një konference të tillë, por ende nuk është caktuar ndonjë datë.

Ai theksoi se synimi është të krijohet një autoritet kalimtar që përfaqëson të gjitha grupet fetare dhe etnike të vendit. Më shumë se 300 irakianë u takuan në Bagdad nga fundi i prillit dhe ranë dakord që një konferencë kombëtare të mbahej nga fundi i këtij muaji. Një këshill irakian shtatë anëtarësh po zhvillon bisedime me zotin Bremer për organizimin e konferencës.

Këshilli thotë se kërkon krijimin e një qeverie me kompetenca më të mëdha ekzekutive dhe financiare sesa ajo që parashikon plani i administratorit amerikan. Disa udhëheqës të mundshëm politikë irakianë janë ankuar se plani i zotit Bremer do tu mohonte atyre kontrollin mbi një numër ministrish të rëndësishme dhe kompetencat për shfrytëzimin e burimeve të vendit, përfshirë rezervat e mëdha të naftës.

Zoti Bremer e ka informuar këshillin irakian se Washingtoni favorizon krijimin e një autoriteti kalimtar me pushtet të kufizuar para se pushteti i plotë t’i kalohet një qeveria që njihet nga komuniteti ndërkombëtar.//xh//

XS
SM
MD
LG