Lidhje

Kasetë e re e Al-Kaidës me thirrje për sulme të reja terroriste - 2003-05-21


Kanali televiziv satelitor arab thotë se zëri në kasetë është i Ayman al-Zawaherit, zëvendësit të Osama bin Ladenit.

Në kasetë u kërkohet myslimanëve të sulmojnë perëndimorët dhe t’i përzënë ata nga trojet e shenjta myslimane, duke iu referuar mesa duket Irakut dhe gadishullit arabik. Po ashtu, u bëhet thirrje myslimanëve që të sulmojnë ambasada dhe objekte tregëtare të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Australisë dhe Norvegjisë.

Në Arabinë Saudite dhe vende të tjera arabe janë rritur masat e sigurisë, pas paralajmërimeve se së shpejti mund të ketë sulme të tjera terroriste. Dy javët e kaluara në Arabinë Saudite dhe në Marok, pati sulme vdekjeprurëse.

Në kryeqytetin saudit, Riad, policia e armatosur po patrullon nëpër rrugë me automjete ushtarake dhe para hoteleve të mëdha janë vendosur barrikada betoni, si pjesë e përpjekjeve për t’u mbrojtur nga kërcënimi terrorist në rritje.

Autoritetet saudite njoftojnë se tre marokenë të arrestuar në fillim të kësaj jave, po planifikonin të sulmonin objekte historike në vend, duke përdorur një avion të rrëmbyer.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania dhe Italia kanë mbyllur përkohësisht ambasadat në Arabinë Saudite, për shkak të paralajmërimeve për sulme terroriste.// lk //

XS
SM
MD
LG