Lidhje

Koha për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës nuk ka ardhur ende - 2003-05-26


Komisioni i Jashtëm i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan organizoi javën e kaluar një seancë mbi të ardhmen e Kosovës. Disa ligjvenës u shprehën se bisedimet për statusin e Kosovës duhet të hapen tani dhe ata mbështetën pavarësinë e Kosovës. Por një studiues i pavarur me origjinë serbe, Damian De Kërnjeviç Mishkoviç zëvendës kryeredaktor i revistës National Interest, thotë se koha për bisedime nuk ka ardhur ende, pasi si Beogradi, dhe aq më shumë Prishtina, nuk janë ende të përgatitura për negociata. Gjithë bara, thotë analisti, tani i bie palës shqiptare për të bindur Beogradin se të drejtat dhe trashëgima kulturore serbe në Kosovë do të respektohen.

Zëri i Amerikës: Zoti Kërnjeviç, kohët e fundit gjithnjë e më shumë po shtohen zërat se po afrohet koha për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Cili është mendimi juaj, a ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve?

D. Kërnjeviç: Nuk mendoj se ka ardhur koha, pasi si në Beograd, por veçanërisht në Prishtinë nuk janë gati për këtë. Më parë duhet të ekzistojnë ndjenja e besimit mes të dyja palëve. Dhe mënyra për ta bërë këtë është të bisedohet fillimisht për probleme që nuk kanë të bëjnë me statusin përfundimtar. Në dëshminë e organizuar në Kongres para disa ditësh, zyrtarja e Departamentit të Shtetit tha se, në se bisedimet për statusin përfundimtar fillojnë tani, gjithë të tjera do të harrohen, nuk do të flitet më për standartet, nuk do të flitet më për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, për shkatërrimin e kishave, për zhvillimin ekonomik, pasi gjithshka do të përqëndrohej rreth statusit. Pra momenti nuk ka ardhur ende. Ndoshta Beogradi është më i përgatitur për të dalë me një qëndrimin e tij për statusin përfundimtar, por nuk jam i sigurtë se në Prishtinë ekziston një qëndrim i tillë. Në Kosovë nuk gjen një konsensus kombëtar për gjerat e tjera, me përjashtim të faktit që të gjithë kërkojnë pavarësinë. Por kaq nuk mjafton për të filluar një dialog serioz me Beogradin. Vënia e theksit tek standartet përpara statusit, respektimi i rezolutës dhe kalimi i këtij procesi përmes Kombeve të Bashkaura është rruga e duhur. Veçanërisht në Ballkan, pa bekimin e OKB-së, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit, këmbëngulja në një qëndrim të caktuar sjell me vete kaos. Statusi përfundimtar duhet të sjellë një stabilitet më të madh në Ballkan. Në se ky status kërkohet tani, ajo që do të pasojë është paqëndrueshmëria dhe rreziku i kthimit të terrorizmit në Ballkan. Kjo mund të krijonte kushtet për të nxitur grupet ekstremiste si në Prishtinë edhe në Beograd. Është shumë më mirë që të ecet ngadalë, pra që pas përmbushjes së standarteve të flitet për statusin përfundimtar.

Zëri i Amerikës: Pala shqiptare e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për pavarësi të plotë dhe që Kosova të mos ndahet. Me sa jeni ju i informuar, cili është qëndrimi i Beogradit, si mund të zgjidhet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës?

D. Kërnjeviç: Në Beograd ekziston një gjendje e tillë ku njerëzit publikisht thonë se nuk duan të flasin për status përfundimtar, në kuptimin që kjo nuk do të çonte në asgjë më shumë se sa në të drejta më të mëdha të shqiptarëve për vetë-qeverisje por gjithmonë brenda një Serbie sovrane që do të përfshinte edhe Kosovën. Ky është qëndrimi publik. Privatisht ata thonë gjera të tjera. Por unë dua të përqëndrohem më shumë në mënyrën si e shoh unë të ardhmen. Statusi duhet të marrë parasysh jo vetëm interesat e banorëve të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera me interesa në Kosovë, jo vetëm për shqiptarët e serbët, por edhe për fqinjët e Kosovës. Serbia ka dy interesa jetike në Kosovë: e para që popullsia serbe t’i ketë gjithë të drejtat të garantuara dhe e dyta, që gjithë objektet e shenjta serbe, në fakt ato që përbëjnë djepin e civilizimit të saj, të mbeten nën sovranitetin serb. Kjo do të thotë që me ndarje ose pa ndarje të Kosovës, ajo që është më e rëndësishme është që Serbia të ketë sovranitet ekstraterritorial mbi disa prej këtyre vendeve. Në se është fjala se ç’do të bëhet me serbët në Kosovë, kur Kosova të bëhet pjesë e Evropës, aty në fund të fundit do të ekzistojë një civilizim i lartë evropian, pra në se të drejtat e serbëve do të respektohen atëhere nuk do ketë problem për ta. Por kjo barë u takon shqiptarëve, u takon atyre t’i bindin serbët se është e mundur që kjo gjë të realizohet. Në se jo, Beogradi nuk do të pranojë zgjidhje, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të bashkëpunojë me një udhëheqje shqiptare që diskriminon serbët. Këta serbë nuk janë të Millosheviçit, ata kanë jetuar aty për breza të tërë.

Zëri i Amerikës: Le të supozojmë për një moment se të drejtat e serbëve në Kosovë do të respektohen plotësisht. A do të jetë Beogradi i gatshëm, në një të ardhme, në se Kosova do të jetë shtet i pavarur, t’i njohë serbët e Kosovës si shtetas të këtij shteti të ri të pavarur?

D. Kërnjeviç: Ka disa hipoteza këtu. E para si parim i përgjithshëm Beogradi i respekton konventat ndërkombëtare dhe në se do të njohë një vend të ri, kudo qoftë ai, atëhere mendohet se do të njohë edhe të drejtat e qytetarëve, të të gjithë qytetarëve, të këtij vendi. Kjo është e gjitha që mund të them. Është e qartë se në se Beogradi nënshkruan një marrëveshje që pranon statusin përfundimtar, ai do të respektojë edhe kushtet e kësaj marrëveshjeje. Pra teorikisht nuk ka ndonjë problem. Pa dyshim që Beogradi dhe Prishtina duhet të zhvillojnë bisedime se cili do të jetë statusi përfundimtar, në të njejtën mënyrë si Beogradi ka marrëdhënie më se normale me Bosnjen, si me Republikën serbe atje edhe me fedetaratën dhe i pranon serbët e Bosnjes si qytetarë të Bosnjes. Nuk mendoj se këtu ka vend për shqetësim. Mund të eksiztojë edhe koncepti i dy-shtetësisë, nga njera anë, por nga ana tjetër, kur këto vende të hyjnë në Bashkimin Evropian, shtetësia do të ketë gjithnjë e më pak rëndësi se sa bashkëjetesa në komunitetin evropian. Ky është synimi për të cilin duhet të përpiqen të gjithë: që të drejtat e të gjithëve të respektohen, që të respektohet trashëgimia kulturore, ndërsa shtetësia në të ardhmen do të jetë thjesht një element tjetër.

XS
SM
MD
LG