Lidhje

Tiranë:  Ish-të përndjekurit politikë presin një javë përgjigjen e qeverisë duke pezulluar protestat - 2003-06-04


Përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist bënë të ditur se do të prisnin një javë përgjigje nga qeveria për kërkesat e tyre ekonomike, duke pezulluar protestat në përpjekje për të arritur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Avokati i Popullit.

Drejtues të dy shoqatave të ish-të përndjekurve deklaruan sot se kërkesat për dëmshpërblimin e viteve të burgut politik u hartuan në 7 pika, që po diskutohen me Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të qeverisë. Kryetari i shoqatës antikomuniste të të përndjekurve, Afrim Haci, thotë se përgjigja e kryeministrit pritet për një seri cështjesh teknike. “Duke mbetur si bazë projekt-ligji i paraqitur në Kuvend, kërkohet nga shoqatat e të përndjekurve në unison: 1. Çdo ditë burgu të shpërblehet sipas nenit 57 të Kodit Penal në fuqi. 2. Të caktohet afati I miratimit të ligjit, shtrirja në kohë nga 4 deri në 8 vjet, në varësi të faturës. 3. Të pushkatuarit të shpërblehen 5 mijë lekë një ditë burgu për 8 vjet.” - thotë zoti Haci.

Në bisedime u kërkua gjithashtu që letrat me vlerë të përfshihen në proces privatizimi, të internuarit deri në vitin 1954 të dëmshpërblehen njëlloj si të burgosurit, si dhe të bëhen verifikime të sakta dokumentare për dëmshpërblime të mëparshme.

Kryeministri Fatos Nano kërkoi disa ditë më parë që të dialogohet me një përfaqësi të shoqatave të ish- të përndjekurve deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje mes palëve. Avokati i Popullit u bë ndërmjetës i bisedimeve dhe garant për zbatimin e marrëveshjes.

Zoti Nano kërkoi që të bëheshin kontrolle mbi dosjet e dëmshpërblimeve që janë dhënë vitet e mëparshme për ish- të përndjekurit. Ai u shpreh se çështjet duhej dialoguar teknikisht dhe të shmangeshin përplasjet absurde me policinë.

Partitë e opozitës i mbështetën tubimet e protestës së ish- të përndjekurve, që organizohen nga shoqata të ndryshme. Kjo vlerësohet si një nga çështjet e pazgjidhura plotësisht gjatë viteve të tranzicionit, ndërsa shoqatat e ish të përndjekurve i kanë rinisur tubimet e tyre të protestave këto tre muajt e fundit me kërkesa ekonomike. //ss//

XS
SM
MD
LG