Lidhje

A e dëmton ekonominë amerikane rënia e dollarit? - 2003-06-06


Një vit më parë, një euro kushtonte 92 cents. Sot ajo kushton 1 dollar e 17 cents. Kjo tregon se dollari ka shënuar një rënie prej 27 përqind kundrejt euros brenda një viti. A është kjo diçka e keqe për dollarin. Jo domosdo. Rënia e dollarit në momente të caktuara i bën mirë ekonomisë amerikane sepse i shton asaj eksportet.

Kur dëgjon të flitet për dollarin, njeriu mendon për simbolin pasurisë dhe të prestigjit amerikan. Prandaj kur dëgjon për rënien e tij, kjo tingëllon paksa e pabesueshme.

Dollari duhet t’i ngjante shqiponjës, i fuqishëm, gjithnjë me kokën lart. Por përse sekretari amerikan i thesarit duket kaq i qetë edhe pse dollari po bie? Njëra nga arësyet është kjo:

Eksportet amerikane për në vendet e tjera kanë rënë ndjeshëm. Jo sepse Amerika nuk prodhon mall të mirë. Pulat amerikane, muzika, filmat, armët ilaçet amerikane, janë shumë popullore në botë. Por çmimet e tyre kanë qenë paksa të larta kohët e fundit. Mirëpo kur dollari bie, kjo do të thotë se çmimet që paguajnë të huajt për këto mallra bien po ashtu.

Kështu që, rënia e dollarit mund të shtojë shitjen e mallrave amerikane në botë, pra t’i bëjë mirë Amerikës. Por këtu ka një rrezik, sepse kur dollari bie, ai bie në krahasim me diçka tjetër. Kur vlera e tij ulet, monedhat e tjera, si euroja apo jeni japonez, ngrihen. Pra, megjithëse mallrat amerikane bëhen më të lira në tregjet e botës, këtu në Amerikë rriten çmimi i mallrave të huaja, si artikujt sportivë nga kina, mallrat elektronike japoneze apo ullinjtë grekë, qoftë edhe kakaoja afrikane.

Kështu që, kur sekretari i thesarit shikon dollarin në rënie, ai mendon dy gjëra: se rënia e dollarit ndihmon Amerikën për tu shitur mallra të huajve, por dëmton ata amerikanë që pëlqejnë mallrat e huaja. Sidoqoftë, ai mendon se tani për tani Amerika mund të përfitojë sado pak nga kjo rënie.// lk //

XS
SM
MD
LG