Lidhje

Bush: Koha do ta provojë se Shtetet e Bashkuara kishin të drejtë për Irakun - 2003-06-09


Presidenti Bush tha se koha do ta provojë se Shtetet e Bashkuara kishin të drejtë të përmbysnin qeverinë e Sadam Huseinit.

Presidenti e bëri këtë koment në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse mosgjetja e armëve të shkatërrimit në masë në Irak vë në rrezik besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Bush tha se Iraku kishte një program armësh të tilla dhe se njoftimet e zbulimit gjatë 10 viteve të fundit e mbështesin një gjë të tillë.

Ai nuk iu referua në mënyrë specifike armëve, por në intervistat gjatë ditëve të fundit, zyrtarë të administratës këmbëngulën se armë të tilla do të gjenden në Irak.

Ekzistenca e armëve të ndaluara ishte arsye kryesore për veprimin ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Një raport zbulimi i vitit të kaluar, i publikuar pjesërisht, thoshte se mungonin të dhëna të drejtpërdrejta se Iraku zotëronte armë kimike e biologjike, por arrinte në përfundimin se Iraku mund të kishte armë të tilla.

Ky raport ka nxitur pyetjet rreth justifikimit amerikan për luftën dhe nëse administrata e Presidentit Bush i kishte egzagjeruar informacionet.

Zyrtarët thonë se raporti ishte vetëm një nga shumë burime, në të cilat Shtëpia e Bardhë mbështeti vendimin e saj.

Edhe Britania ka mohuar akuzat se ka manipuliar informacionin e zbulimit, por ka premtuar se do t’i ashpërsojë procedurat për përdorimin e informacionit të zbulimit në raportet publike.//kk//

XS
SM
MD
LG