Lidhje

Presidenti Bush thotë se koha do ta provojë që Iraku zotëronte armë të ndaluara - 2003-06-10


Presidenti Bush thotë se koha do ta provojë që Iraku zotëronte një program armësh të shkatërrimit në masë. Presidenti thotë se historia do të tregojë se ai mori vendimin e duhur, kur urdhëroi për ndërhyrje ushtarake kundër Sadam Huseinit.

Adminitsrata e Presidentit Bush vazhdon të mbrohet ndaj akuzave se ka ekzagjeruar provat për armë të shkatërrimit në masë me qëllim që të justifikojë ndërhyrjen ushtarakë në Irak.

Pardje, zyrtarë të lartë të administratës hodhën poshtë akuzat në programe të rrjeteve televizive kombëtare dhe thanë se raporte të përsëritura tregonin që udhëheqësi irakian, Sadam Husein, kishte armë të shkatërrimit në masë dhe përpiqej t’i fshihte ato.

Presidenti Bush e përsëriti këtë temë, kur foli me gazetarët pas një takimi të kabinetit.

“Iraku kishte një program armësh bërthamore. Të dhënat e agjencive të zbulimit kanë treguar gjatë një dekade se Iraku kishte një program armësh bërthamore. Unë, tha Presienti Bush, jam absolutisht i bindur se, me kalimin e kohës, ne do të provojmë se ata kishin një program armësh të tilla”.

Më pas zoti Bush u pyet nëse besueshmëria e Shteteve të Bashkuara ishte në pikpyetje për shkak se nuk janë gjetur ende armë të shkatërrimit në masë. Ai u përgjegj me shpejtësi dhe pa dorashka:

”Besueshmëria e këtij vendi bazohet në dëshirën tonë të fortë për ta bërë botën më paqësore, dhe tani pas vendimit tonë bota është më e paqme”.

Ai komentoi gjithashtu lidhur me një artikull të faqes së parë të gazetës New York Times rreth lidhjeve terroriste të al-Qaidës me regjimin e Sadam Huseinit në Irak. Administrata e Presidentit Bush ka pretenduar për lidhje të forta ndërmjet tyre. Por gazeta shkruan se dy robër të al-Qaidës që po mbahen nga autoritetet amerikane, u kanë thënë hetuesve se nuk ka patur lidhje ndërmjet rrjetit terrorist dhe qeverisë së përmbysur irakiane.

”E lexova artikullin që pretendon disi se al-Qaida nuk ka qenë e pranishme në Bagdad. Ma mer mendja se autorët e shkrimit kanë harruar rrjetin e al-Zarqwai-t në Bagdad, i cili urdhëroi vrasjen e qytetarit amerikan, Foley”.

Lawrence Foley, zyrtar amerikan ndihmash u vra këtë vit në Aman të Jordanisë nga persona të armatosur.

//ze//

XS
SM
MD
LG