Lidhje

Z. Rumsfeld bën thirrje për bashkëpunim më të fortë transatlantik - 2003-06-11


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld po u bën thirrje aleatëve evropianë të lënë mënjanë mëritë me Shtetet e Bashkuara lidhur me Irakun dhe të bashkohen me to në luftën kundër terrorizmit. Në një fjalim në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve evropiane në Gjermani, zoti Ramsfeld foli për një bashkëpunim më të fortë transatlantik. Ai tha se sot, uniteti i Evropës është më i rëndësishëm se kurrë ndërkohë që vendet ndeshen me kërcënimin e terrorizmit dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Zoti Ramsfeld i bëri këto komente në një qendër amerikane studimesh të çështjeve të sigurimit në jug të Gjermanisë përpara zyrtarëve ushtarakë të rangut të mesëm nga vendet e ish bllokut sovjetik. Në vijim të fjalës së zotit Ramsfeld, ministri gjerman i mbrotjes Peter Shtruk tha se mosmarrëveshje të përkohëshme si ato për Irakun nuk duhet të cënojnë marrëdhëniet miqësore ndërmjet Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Si Gjermania dhe Franca u shprehën kundër ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak për përmbysjen e udhëheqësit irakian Sadam Husein.

Zoti Ramsfeld pritet të shkojë nesër në Bruksel, ku do të marrë pjesë në takimin dy-ditor të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Pritet që debati i takimit të përqëndrohet në reformimin e strukturave komanduese të aleancës për t’iu përshtatur kërkesave të mbrojtjes së 19 vendeve anëtare. //ad//

XS
SM
MD
LG