Lidhje

Mision eksplorimi i Nasës në planetin Mars - 2003-06-11


A ka patur ndonjëherë ujë në Mars? Kjo pyetje i ka munduar shumë shkencëtarët, sepse prania e ujit mund të tregojë se dikur atje ka patur kushte që e bënin të mundur jetën. Dhe jeta në Mars ka qenë historikisht objekt i librave fantastiko-shkencorë. Sot ka ardhur koha që shkencëtarët po e bëjnë fantazinë realitet dhe po dërgojnë në Mars robotë për të sqaruar në vend teoritë e ekzistencës së jetës. Njëri nga dy robotët amerikanë që do të eksplorojnë planetin u lëshua dje nga Kepi Kanaveral, pas dy ditësh me stuhi dhe erëra të forta që e shtynë nisjen e tij.

Roboti i parë eksplorues që Nasa e ka quajtur “Spirit”, do të shkojë në një pjesë të sipërfaqes së Marsit, ku shkencëtarët besojnë se ekzistonte dikur një liqen. Një zonë tjetër do të eksplorohet nga roboti tjetër i quajtur “Opportunity”. Ai do të lëshohet në hapësirë më 25 qershor.

Misionet e mëparshme kanë arritur në përfundimin se në Mars ka patur ujë, por shkencëtarët duan të zbulojnë se sa ujë ka patur dhe për sa kohë. Studiuesit thonë se uji mund të tregojë se dikur në Mars kishte kushte që e bënin të mundur jetën. Orlando Figueroa drejton programin për eksplorimin e marsit.

“Ne do të jemi në gjendje të shikojmë rreth e qark, të zgjedhim gurët dhe kampione nga dheu që duam t’i studiojmë në hollësi dhe madje edhe të gërryejmë pak nga sipërfaqja e shkëmbinjve dhe të kuptojmë se cila është përbërja e tyre, nëse ka ose jo prova se në ato vende ka patur vërtet ujë për një kohë të gjatë”, tha zoti Figueroa.

Robotët që do të shkojnë në Mars do të jenë në rolin e gjeologëve dhe do të lëvizin me gjashtë rrota. Secila nga rrotat është afro një metër e gjatë dhe e pajisur me kamera, sensorë me rreze infra të kuqe dhe një sondë për për të zgjedhur kampionët e gurëve. Steve Squyers është shkencëtari kryesor për robotët:

“Roboti është fantastik, sepse për herë të parë do të na japë mundësinë të eksplorojmë me të vërtetë, të lëvizim vërtet në sipërfaqen e një planeti tjetër”, thotë zoti Squyers.

Të dy robotët parashikohet të arrijnë në Mars në janar dhe pritet që misioni i tyre të zgjasë të paktën tre muaj. Ata do të ndalen kur panelet e tyre diellore-burimi i tyre i vetëm i energjisë, të jenë mbuluar nga pluhuri i Marsit.

//ad//

XS
SM
MD
LG