Lidhje

Powell u bën thirrje udhëheqësve të Lindjes së Mesme për masa kundër grupeve ekstremiste palestineze - 2003-06-12


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, po u bën thirrje udhëheqësve të Lindjes së Mesme që të veprojnë kundër grupeve ekstremiste palestineze, që siç tha ai po përpiqen të bllokojnë procesin e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Zoti Powell foli dje në telefon me udhëheqësit e Izraelit, Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Egjiptit dhe u kërkoi atyre të ngrenë zërin për të ndaluar transferimin e fondeve për grupet ekstremiste Hamas, Xhihadi Islamik dhe grupe të tjera, që i përshkroi si elemente të vendosur që të përdorin terrorin për të ndaluar procesin e paqes. Kjo veprimtari diplomatike pason ndezjen e dhunës, që filloi me një shpërthim vetvrasës të mërkurën nga grupi ekstremist Hamas, që u kushtoi jetën 16 izraelitëve.

Pas këtij sulmi vetvrasës, Izraeli ndërmorri tri sulme me helikopterë në Rripin e Gazës, duke vrarë 17 palestinezë, përfshirë edhe disa anëtarë të Hamasit. Në sulmin më të fundit dje, u vranë udhëheqësi i krahut ekstremist të këtij grupi, Yasser Taha, me gruan dhe vajzën.

Në një zhvillim tjetër, zyrtarët amerikanë thanë se Presidenti Bush po dërgon në rajon brenda disa ditësh zotin John Wolf, diplomatin e ngarkuar me vënien në zbatim të planit të paqes.

Zoti Powell ka gjithashtu në plan të takohet javën e ardhëshme në Jordani me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, që hartuan planin e paqes së bashku me Shtetet e Bashkuara. Gjatë veprimeve me dhunë në Bregun Perëndimor, palestinezë të armatosur vranë një shofer izraelit. Po dje më vonë, në Xhenin, forcat izraelite vranë dy anëtarë të grupit Xhihadi Islamik gjatë shkëmbimeve të zjarrit me ta.//ic//

XS
SM
MD
LG