Lidhje

Izraeli do të intensifikojë operacionet kundër Hamasit - 2003-06-13


Lajmet nga Izraeli bëjnë të ditur se udhëheqës të shtetit hebraik po përgatiten të intensifikojnë operacionet kundër grupit ekstremist palestinez Hamas. Sipas njoftimeve, mes objektivave do të jenë udhëheqës të grupit Hamas, përfshirë Sheikun Ahmed Jasin.

Ndërkohë, sipas dy gazetave izraelite, një zëdhënësi i Hamasit ka thënë se çdo izraelit do të jetë objekt sulmi nga grupi i tij. Shkallëzimi i veprimeve ushtarake nga të dyja palët pason një rritjeje të ndjeshme të dhunës vdekjeprurëse midis izraelitëve dhe palestinezëve, pak para vizitës së një delegacioni tjetër në rajon në përpjekje për të çuar përpara procesin e paqes.

Diplomati amerikan, John Wolf, i cili është ngarkuar të mbikëqyrë zbatimin e planit të ri të paqes, niset nesër për në Jeruzalem. Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, ka në plan të takohet me 22 qershor në Jordani me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe të Rusisë. Sekretari Pauëll zhvilloi dje biseda telefonike me udhëheqës arabë, të cilëve u kërkoi të flasin hapur dhe të bllokojnë fondet për Hamasin, Xhihadin Islamik dhe oranizata të tjera, të cilat, tha ai, janë të vendosura të përdorin terrorin për të bllokuar përpjekjet e paqes.

Gjakderdhja e kësaj jave filloi të merkurën me shpërthimin vetëvrasës nga grupi Hamas që shkaktoi vdekjen e 16 izraelitëve. Më pas, Izraeli kreu tre sulme me helikopterë në Qytetin Gaza, duke shkaktuar vdekjen e 17 palestinezëve, përfshirë disa anëtarë të grupit Hamas. Pas këtyre sulmeve kanë ndodhur edhe përleshje të tjera.//xh//

XS
SM
MD
LG