Lidhje

Si u krijua flamuri amerikan? - 2003-06-14


14 qershori këtu në Shtetet e Bashkuara është dita e flamurit. Është përvjetori i ditës kur ligjvënësit e parë amerikanë miratuan dizenjon e një flamuri të ri për një vend të ri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëheshin në fillim nga 13 koloni britanike. Secila nga kolonitë kishte flamurin e vet. Por kolonistët luftuan nën një flamur të përbashkët gjatë luftës revolucionare kundër Britanisë. Ai flamur ishte shumë i ngjashëm me flamurin e sotëm amerikan.

Kishte 13 shirita të kuqe dhe të bardha për 13 kolonitë. Kishte një pjesë katrore blu në cepin e lartë majtas. Brenda pjesës blu ishin kryqi i kuq vijat e bardha të flamurit britanik.

Më 4 korrik, 1776, kolonistët amerikanë shpallën pavarësinë. Ishin krijuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kongresi kontinental i vendit të ri e miratoi flamurin e ri më 14 qershor, 1777. 13 shiritat e kuqe dhe të bardha mbetën ashtu siç ishin. 13 yje të bardhë zëvendësuan flamurin britanik brenda katrorit blu. Sipas fjalëve të Kongresit, 13 yjet përfaqësonin një “konstelacion të ri”.

Në vitin 1818, Kongresi miratoi një ligj ku thuhej se flamurit do t’i shtohej një yll i ri për çdo shtet të ri që i bashkohej Shteteve të Bashkuara. Sot ka 50 shtete dhe 50 yje të bardhë në katrorin blu të flamurit.

Francis Hopkinson, delegat i Kongresit Kontinental tha se ai e kishte krijuar dizenjon e flamurit dhe shumë historianë e pohojnë pretendimin e tij.

Pothuajse të gjithë amerikanët e dinë se një grua që quhej Betsy Ross bëri flamurin e parë amerikan. Betsy Ross ishte një rrobaqepëse e specializuar në Filadelfia të Pensilvanisë. Ajo ishte rrobaqepësja zyrtare e flamurit për marinën e Pensilvanisë.

Në vitin 1870, nipi i Betsy Rossit, William Canbyt bëri një shkrim për të. Ai shkroi se kur ishte 11 vjeç, gjyshja i kishte treguar se si e kishte bërë flamurin e parë të Shteteve të Bashkuara. Ajo i kishte treguar se një komision i drejtuar nga George Washingtoni shkoi për ta takuar në qershor të vitit 1776.

Anëtarët e komisionit i kërkuan Betsyt të bënte një flamur, sipas dizenjos që i dhanë ata. Yjet kishin 6 cepa por zonja Ross tha se yjet me pesë cepa do të qepeshin më kollaj. Nuk janë gjetur prova për të konfirmuar këtë rrëfim të ngjarjes. Por gjithsesi është një histori e bukur.//kk//

XS
SM
MD
LG