Lidhje

SHBA të shqetësuara për programin bërthamor iranian - 2003-06-18


Irani nuk pranon se po zhvillon armë bërthamore. Por administrata e Presidentit Bush thotë se është tepër e preokupuar rreth synimeve bërthamore të Teheranit.

Presidenti Bush thotë se kjo është një çështje që ai e ka diskutuar me udhëheqës të vendeve të tjera të botës.

"Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për t’ia bërë shumë të qartë Iranit se nuk do të tolerojë ndërtimin e armëve bërthomore në atë vend. Irani do të ishte një vend i rrezikshëm, po të kishte armë bërthamore".

Këto komente bëhen ndërkohë që agjencia e Kombeve të Bashkuara për kontrollin e armëve bërthamore diskutoi një raport të ri sipas të cilit Irani ka refuzuar të japë shpjegime për importimin, përpunimin dhe magazinimin e materialeve bërthamore, pavarësisht se ka premtuar ta bëjë një gjë të tillë.

Debati po zhvillohet në në Vienë të Austrisë, ku ka selinë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, dhe është karakterizuar nga shkëmbime të ashpra mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Dje, përfaqësuesi amerikan në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore akuzoi Teheranin për shkeljen e marrëveshjeve për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe për pengimin e inspektimeve për armë të tilla. Përfaqësuesi iranian i hodhi poshtë akuzat, duke ngritur pyetje rreth paanëshmërisë së raportit të agjencisë mbi programet e tij bërthamore.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se Shtetet e Bashkuara nuk ushtruan asnjë lloj presioni dhe hodhi poshtë idenë se Uashingtoni ushtron diktat ndaj ndonjë agjencie të Kombeve të Bashkuara.

"Për mendimin tim, siç është vënë re në ngjarjet e kohëve të fundit në të cilat kanë qënë të angazhuara Kombet e Bashkuara dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, këto janë organizata të pavarura me reputacion të lartë. Por çdo kush mund të vëzhgojë dhe të gjykojë vetë".

Një tjetër çështje që ka krijuar divergjenca mes administratës së Presidentit Bush dhe Teheranit është fati i protestuesve antiqeveritarë. Irani ka akuzaur Shtetet e Bashkuara se po ndërhyn në punët e tij të brendëshme. Presidenti Bush e ka bërë të qartë se demonstruesit kanë mbështetjen e tij morale.

"Unë i vlerësoj ata njerëz kurajozë që ngrenë zërin për lirinë në Iran. Ata duhet ta dinë se Amerika qendron fort në krah të tyre. Unë do t’i bëja thirrje administratës iraniane që t’i trajtojë ata me respektin më të madh".

Demonstratat filluan javën e kaluar dhe çuan në përleshje mes demonstruesve dhe përkrahësve të qeverisë. Por protestat janë shuar gjatë disa ditëve të fundit.//ic//

XS
SM
MD
LG