Lidhje

Studim i kohëve të fundit: Imazhi i Amerikës në botë u përmirësua pak gjatë luftës në Irak - 2003-06-21


Sipas një raporti të publikuar këtë muaj nga qendra kërkimore Pew me titull Pikpamje të një Bote në Ndryshim, përfundimi i shpejtë i luftës në Irak përmirësoi disi imazhin e Amerikës nëpër botë. Megjithatë, lufta krijoi zemërim në botën arabe. Ajo gjithashtu shtoi përçarjet në rritje midis amerikanëve dhe evropiano-perëndimorëve.

Politikanët dhe dijetarët kanë pikpamje të ndryshme lidhur me çështjen në se këto ndjenja anti-amerikane rezultojnë nga kundërshtimi i politikave amerikane apo kanë rrënjë më të thella.

Disa dijetarë mendojnë se Amerika i paraqet vlerat e saj në një mënyrë që armiqson vende të tjera. Ata e diskutuan këtë temë në një debat të kohëve të fundit në Washington në organizatën Carnegie për paqe ndërkombëtare.

Minxin Pei, specialist në organizatën Carnegie për studimet aziatike dhe ndërkombëtare, thotë se burimi i problemeve të kohëve të fundit për Shtetet e Bashkuara është prirja për të nënvlerësuar si nacionalizmin e vet ashtu edhe atë të shoqërive të tjera.

“Megjithëse Shtetet e Bashkuara janë një shoqëri shumë nacionaliste, veçanërisht po të krahasohet me demokraci të tjera, hartuesit e politikës së jashtme amerikane dhe mendoj se edhe shoqëria në përgjithësi, nuk e vlerësojnë si duhet forcën e nacionalizmit dhe shpesh nuk vlerësojnë as fuqinë e nacionalizmit në shoqëri të tjera.”

Amerikanët mendojnë se nacionalizmi i tyre është i veçantë dhe të paktën për ta, thotë zoti Pei, nuk duket fare si nacionalizëm. Dhe kjo ndodh, thotë ai, sepse nacionalizmi amerikan përcaktohet kryesisht nga idealet politike, nga një ndjenjë arritjesh kolektive, si dhe nga shpresa rreth së ardhmes.

Zoti Pei vë në dukje një ironi në raportin e qendrës kërkimore Pew, në të cilin thuhet se ndjenjat anti-amerikane shprehen shpesh nga njerëz, që ndajnë vlerat amerikane. Pra problemi për amerikanët, thotë ai, nuk janë vetë vlerat, por mënyra se si amerikanët përpiqen tua imponojnë ato botës.

Profesori Francis Fukuyama në Universitetin Johns Hopkins është dakord me mendimin se shumë amerikanë besojnë tek përgjithshmëria e institucioneve dhe kulturës së tyre politike. Zoti Fukuyama e pranon se ngandonjëherë politika e jashtme amerikane nuk përputhet me idealet e popullit amerikan. Ky boshllëk provokon akuza të rënda rreth hipokrizisë dhe mashtrimit amerikan. Por ai ngre pyetjen në se një pjesë hipokrizie është e pashmangshme, duke pasur parasysh vendin unik që Amerika zë në botën e sotme.

“Amerika është një fuqi mbizotëruese, është përgjegjësia e saj që të garantojë sigurimin dhe shumë shërbime të tjera publike për komunitetin ndërkombëtar. Asnjë vend tjetër nuk do ta bëjë një gjë të tillë në se nuk e bëjnë Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ushtrojnë fuqi dhe ndërsa ushtrojnë fuqi, nuk mund të veprojnë gjithnjë në përputhje me disa kërkesa morale. Dhe si pasojë akuzat për hipokrizi do të jenë thuajse të pashmangshme.”

Përveç kësaj, thotë profesori Fukuyama, amerikanët kanë të drejtë të mendojnë se modeli i tyre i demokracisë liberale është tërheqës për të gjithë botën. Ai mendon se ata që kritikojnë Amerikën zakonisht kundërshtojnë vlerat e saj politike dhe shoqërore. Minxin Pei është i një mendimi, por thotë se Amerika nuk është vënë në rolin udhëheqës lidhur me çështjet shoqërore, që shikohen nga të tjerët po aq të rëndësishme.

Hollandezi Ad Melkert, drejtor ekzekutiv në Bankën Botërore, tha se mungesa e mbështetjes amerikane për çështje me konsensus ndërkombëtar, si traktatet e mjedisit ose pakte globale si ai për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, kundërshtohen nga evropianët më shumë se sa nacionalizmi amerikan.

“Një prej vlerave kryesore është shteti juridik. Është vështirë të kuptohet se pse zbatimi i shtetit juridik duhet të ndalet në kufirin e Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë në Evropë, po bëhen përpjekje për të rregulluar gjendjen relativisht kaotike dhe për ta bërë atë më afër gjendjes, që Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar tashmë për 2 shekuj.”

Pra, ç’mund të bëjë Amerika që të përmirësojë imazhin e saj në botë? Minxin Pei sugjeron që ajo duhet të zbusë retorikën e saj. Profesori Fukuyama mendon që amerikanët duhet të flasin pa hezitim rreth vlerave të tyre, por duhet të përpiqen të shpjegojnë politikat e tyre dhe objektivat strategjike afat-gjatë më me kujdes dhe më qartë.

Por shumica e analistëve janë të një mendimi se vëzhgimi i vazhdueshëm intensiv, mosmiratimi madje edhe një farë armiqësie e pakënaqësie prej të tjerëve janë dukuri që shprehen ndaj një vendi që është superfuqi.

//ze//

XS
SM
MD
LG