Lidhje

Katër anëtarë të një grupi ekstremist palestinez u vranë mbrëmë në Rripin e Gazës - 2003-06-22


Zyrtarët palestinezë thonë se 4 anëtarë të grupit ekstremist Brigadat e Martirëve Al-Aqsa humbën jetën në një shpërthim që ndodhi mbrëmë vonë në Rripin e Gazës.

Zyrtarët palestinezë të sigurimit thonë se shpërthimet u shkaktuan nga predhat e tankeve izraelite. Por zyrtarët izraelitë të mbrojtjes thonë se ushtria izraelite nuk ishte në zonë në kohën e shpërthimit. Ata thonë se ekstremistët palestinezë ka të ngjarë të jenë vrarë kur lënda shpërthyese që ata po përgatiteshin të vendosnin diku u aktivizua para kohe.

Shpërthimi më i fundit i dhunës ndodh një ditë pasi forcat izraelite vranë një zyrtar të lartë të grupit ekstremist palestinez, Hamas, gjatë një operacioni kontrolli, për të cilin Kryeministri i Izraelit, Ariel Sharon, e konsideroi si shumë të suksesshëm. Grupi Hamas është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e zyrtarit të vet, Abdullah Qawasemeh.

Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, shprehu keqardhjen për këtë incident dhe tha se ai mund të bëhet shkak për pengimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Zoti Powell e bëri këtë koment dje në Jordani, ku u takua me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar procesin e paqes.

Pas këtyre bisedimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan lexoi një deklaratë në emër të kuartetit, në të cilën i bëhet thirrje Izraelit dhe palestinezëve t’i japin fund ciklit të tyre të dhunës. Zoti Annan dënoi gjithashtu sulmet terroriste palestineze dhe shprehu shqetësimin lidhur me sulmet e Izraelit që kanë shkaktuar viktima në radhët e civilëve palestinezë.//ic//

XS
SM
MD
LG