Lidhje

Vendimi për favorizimin e pakicave, nxit larminë racore - 2003-06-24


Gjykata e Lartë amerikane mori të hënën një vendim historik, i cili ka të bëjë me nxitjen e larmisë racore në shoqërinë e vendit. Vendimi lidhet më drejtpërdrejt me kriterin e racës në pranimin e studentëve në universitete, çështje e cila vazhdimisht ka qenë burim debatesh në Shtetet e Bashkuara.

Gjykata e Lartë përcaktoi se universitetet mund ta marrin parasysh racën, si faktor për pranimin e një studenti, por me një vendim të veçantë ajo u shpreh se universitetet nuk duhet t’i favorizojnë pakicat duke përdorur thjesht një sistem përqindjesh. Vendimi i Gjykatës u përshëndet nga përkrahësit e favorizimit të pakicave. “Gjykata riafirmoi pa mëdyshje të drejtën e institucioneve për ta marrë parasysh racën në pranimin e studentëve. Ajo deklaroi se universitetet duhet ta bëjnë këtë si duhet por megjithatë mund ta bëjnë”, thotë Theodore Shaw.

Me 5 vota pro dhe 4 kundër, Gjykata la në fuqi praktikën e Universitetit të Miçiganit për inkurajimin e shumëllojshmërisë racore.

Shumica e anëtarëve u shprehën se është në interesin e drejtpërdrejtë të qeverisë inkurajimi i kësaj shumëllojshmërie dhe se praktika e universitetit të Miçiganit përputhet me kushtetutën.

Përkrahësit e politikave që favorizojnë pakicat, të cilat fillimisht u formuluan për të korrigjuar pabarazitë shumëvjeçare që u ishin bërë atyre, e quajtën vendimin e Gjykatës së Lartë një fitore të pjesshme. Por Shtëpia e Bardhë e shikon çështjen ndryshe.

Sipas burimeve të administratës, Presidenti Bush ka shprehur pakënaqësi ndaj një vendimi të tillë. Së bashku me kundërshtarë të tjerë të këtyre politikave, Presidenti Bush argumenton se ta shikosh racën si faktor në pranimet universitare, është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës amerikane dhe një favorizim i padrejtë i pakicave racore. Ata thonë se kjo politikë përbën në fakt diskriminim për studentët e bardhë.//kk//

XS
SM
MD
LG