Lidhje

Partitë shqiptare në Mal të Zi, dakord për një platformë mbi kërkesat e shqiptarëve - 2003-06-26


Të martën dhe të mërkurën në Uashington, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare organizuan një konferencë mbi çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi. Në konferencë morën pjesë 20 politikanë, intelektualë, dhe veprimtarë shqiptarë nga Mali i Zi si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan. Udhëheqësit e dy partive kryesore politike, Ferhat Dinosha, kryetar i Unionit Demokratik, dhe Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demokratike dhanë të enjten një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Fillojmë me ju zoti Dinosha. Qëllimi i organizuesve të konferencës ku mori pjesë pothuajse e gjithë elita politiko-shoqërore e shqiptarëve të Malit të Zi, ishte arritja e një platforme të përbashkët për kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi. Sa u arrit ky qëllim?

Ferhat Dinosha:Mendoj se ishte një konferencë jashtëzakonisht e rëndësishme, një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm i shqiptarëve të Malit të Zi dhe nga diaspora shqiptaro-amerikane e Malit të Zi dhe kemi rezultate konkrete. Është lidhur marrëveshja, është rënë dakord që të fillojë puna për hartimin e një platforme të përbashkët të cilën do ta firmosnin të tri partitë politike shqiptare lidhur me statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo punë nuk mund të zvarritet. Kjo punë do të kryhet për 90 ditë, ndoshta do të kryhet edhe më parë, por afati i caktuar është 90 ditë. Unë dua të them se platforma e ardhshme do të bazohet në kërkesat e deritashme themelore politike të partive shqiptare në Mal të Zi dhe është shumë e rëndësishme se edhe diaspora, edhe organizmat shqiptaro-amerikane e shohin se punën e përparimit të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të definimit të statusit të tyre në Mal të Zi, e shohin mes partive shqiptare, pra ato janë subjektet që të vetme mund ta çojnë këtë punë përpara. Natyrisht partitë politike kanë ndonjë nuancë dallimi në projektet e veta, programet e veta. Përsa i takon Unionit Demokratik të shqiptarëve, ne që para tre vjetësh kemi dalë me platformën tonë e cila synon të definojë statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, por vazhdimisht kemi thënë se çdo propozim i ri që pasuron, që është më i mirë, që sjell argumenta të reja për të definuar sa më mirë statusin e shqiptarëve në Mal të Zi është i mirëseardhur dhe unë do të kisha theksuar një rëndësi tjetër të këtij tubimi dhe ky është se komunikimi me diasporën e cila edhe deri tani ka qenë shumë e rëndësishme në avancimin e kauzës shqiptare, kam parasysh çështjen e Kosovës natyrisht, ke qenë shumë e angazhuar pra në avancimin e kësaj çështjeje, dhe kjo diasporë është tani e gatshme të angazhohet edhe për ne në Mal të Zi, ajo do të çelë dyert amerikane të cilat, edhe ne deri tni aty këtu kemi ditur t’i çelim, por me ndihmën e diasporës jam optimist që do të dalim me rezultate edhe më të mëdha.

Zëri i Amerikës: Zoti Bardhi, nga pikëpamja juaj, cila janë disa nga aspektet më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje, ose projekt-marrëveshjeje që keni arritur këtu?

Mehmet Bardhi:Njëherë duhet të përshëndesim dhe falenderojmë organizatorin, Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe të gjithë ata që bënë që ne të vijmë këtu dhe të ulemi rreth një tryeze të rrumbullakët dhe të diskutojmë problemet e shqiptarëve në Mal të Zi dhe pastaj të shohim se cila do të ishte rruga më e mirë për definimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, i cili tani për tani nuk është i definuar, as me kushtetutën ekzistuese të Malit të Zi, ku thuhet se shteti i Malit të Zi është shtet i malazezëve dhe në anën tjetër kërkesat tona që ishin të vazhdueshme që nga themelimi, flas edhe nga pikëpamja e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në krye të së cilës unë jam, e cila u formua që nga fillimi i viteve ’90 dhe që në vitin 1992, para se të shkonim në konferencën e paqes për ish-Jugosllavinë, Bruksel, Londër dhe Gjenevë, në atë kohë ne bëmë disa dokumenta politike. Në vazhdën e këtyre dokumentave politike u diskutua edhe në këtë konferencë në Washington dhe u arritën besoj disa dakordime që janë si të themi parime themelore, një kornizë për të definuar në një platformë të ardhshme të përbashkët. Flas këtu si një prej anëtarëve të koalicionit demokratik “Shqiptarët Bashkë”, që jemi në parlamentin e Malit të Zi, prandaj edhe barrën kryesore do ta mbajmë ne në këtë drejtim. Njëra prej tyre është se duhet të definohet patjetër statusi i shqiptarëve, që të realizojmë të drejtat tona, në kuadër të rregullimit shtetëror të Malit të Zi, por në trojet ku ne jetojmë, ku jemi autoktonë, që të jemi zot në shtëpinë tonë, do të thotë që të mund të udhëheqim edhe me të mirat materiale dhe me të tjera, kjo pra njëra prej tyre u definua, që u tha pastaj që duhet të gjendet mekanizmi, instrumenti që të drejtat e shqiptarëve të mos varen prej politikës që do të vijë në pushtet, por që ato të jenë të definuara edhe një herë, të jenë të realizueshme në të gjitha kohët. Në anën tjetër besoj që pamë që edhe komuniteti shqiptar nga Mali i Zi që është në Amerikë, është i interesuar shumë në këtë drejtim, sepse gjatë gjithë këtyre kohëve ai ishte i orientuar që të ndihmojë çështjen e Kosovës, çështjen shqiptare në Maqedoni, besoj që është radha që tani të ndihmohen edhe shqiptarët në Mal të Zi.

Zëri i Amerikës: Zoti Dinosha, a keni ndonjë ide sesi mund të reagojnë malazezët ndaj këtij takimi që zhvilluat këtu, ndaj kësaj marrëveshjeje për të dalë me një platformë të përbashkët. A ekziston rreziku që ata t’i interpretojnë këto zhvillime si sulm ndaj sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Malit të Zi?

Ferhat Dinosha: Opinioni politik në Mal ytë Zi dhe opinioni më i gjerë e di se shqiptarët kanë subjektet e veta politike dhe se ata veprimtarinë e tyre bëjnë haptaz, e bëjnë në skenën politike në Mal të Zi, por edhe në atë ndërkombëtare. Pra nëse do të ketë pyetje në këtë drejtim ne do t’ua shpjegojmë të gjithëve atyre që janë të interesuar, se takimet tona kudo që të zhvillohen kanë për qëllim zhvillimin e demokracisë në Mal të Zi, përparimin e rrjedhave demokratike në rajon, forcimin e stabilitetit në rajon, por ne natyrisht duam të arrijmë aty që shteti të garantojë statusin tonë atje, që shteti të dijë se shqiptarët janë subjekt edhe politik edhe shoqëror në Mal të Zi, se duan partneritet për përparimin e demokracisë atje dhe se për të arritur këtë partneritet natyrisht që duhen mekanzma konkrete ligjore dhe kjo është kërkesa jonë. Në kërkesën tonë do ta bazojmë mbi standardet demokratike evropiane. Kështu kemi bërë edhe në kohë më të vështira në Mal të Zi, kështuqë çdo mëdyshje se në Washington bëhet diçka që shkon në dëm jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të Malit të Zi, ose të rajonit, do të bjerë poshtë për arsye se ne sillemi ashtu siç thashë, ne veprojmë publikisht me subjekte konkrete, me projekte konkrete dhe këto projekte asnjëherë nuk kanë dalë nga ajo që mundësojnë standardet demokratike evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Bardhi, edhe në të kaluarën forcat politike shqiptare në Mal të Zi kanë bërë përpjekje për bashkërendim të veprimtarive të tyre, por nuk kanë patur aq shumë sukses. A mendoni se këtë radhë do të jetë ndryshe?

Mehmet Bardhi:Mendoj se për këto vite të pluralizmit politik, këto 12 vjet, subjekti politik shqiptar është në skenë në Mal të Zi, por për arsye të ngushtimit të mundësisë të veprimtarisë nga partia në pushtet dhe nga vetë pushteti, ka bërë që synimet dhe programet tona të mos realizoheshin në atë përmasë që ne kemi menduar. Mendoj që është bërë që përparim, se vetë fakti që jemi në skenën politike, në parlamentin e Malit të Zi, tjetë duhet të themi se në komunën e Ulqinit që me krijimin e shumëpartiakësisë, qeverisjen lokale e mban subjekti politik shqiptar, tani përsëri koalicioni politik shqiptar “Shqiptarët Bashkë”, do të thotë që edhe votuesit, edhe qytetarët janë ata që asnjëherë nuk na kanë zhgënjyer në këtë drejtim, por që qeveria aktuale është munduar gjithherë që këtë sukses ta shndërrojë në mossuksesin tonë duke na ngushtuar fushëveprimin, duke centralizuar pushtetin dhe një prej kërkesave tona që duhet të jetë në platformë, që është edhe sot, që e kemi definuar edhe dje në kornizën tonë, është që të bëhet decentralizimi i pushtetit, do të thotë që qeverisjes lokale t’i kthehen kompetencat, e kemi fjalën ku janë shqiptarët, pra në komunën e Ulqinit, në Malësi duhet të kthehet statusi që të krijohet komuna, në mënyrë që qytetarët të kenë vend ku duhet të zbatojnë dhe të realizojnë të drejtat e tyre dhe interesat e tyre, dhe e njëjta gjë të bëhet edhe në Plavë dhe në Rrëzhajë. Mendoj se në këtë drejtim atë që nuk e kemi bërë deri tani, duhet të tentojmë që ta bëjmë. Në këtë drejtim duhet të kemi edhe përkrahjen e subjektit ndërkombëtar, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për këtë punë jemi edhe këtu, për t’ua bërë të qartë të tjerëve se çfarë duam, pra që nuk duam diçka që nuk kanë të tjerët, nuk duam diçka që të kërcënojmë të tjerët, përkundrazi.//kk//

XS
SM
MD
LG