Lidhje

Vdekshmëria e lartë e fëmijëve alarmon ekspertët botërore - 2003-06-28


Ekspertët botërorë të shëndetit thonë se 7 milionë fëmijë që vdesin çdo vit nga sëmundje të shërueshme, mund t’i shpëtojnë vdekjes nëpërmjet ilaçeve jo të shtrenjta.

Ekspertët e cilësojnë shkallën e lartë të vdekjeve tek fëmijët e vendeve të varfëra si problemin më të madh moral, shëndetsor dhe politik.

Fushata ndërkombëtare për mbijetesën e fëmijëve e filluar në vitet ’80 nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Gjatë këtij dhjetëvjeçari, një program i Fondit të Kombeve të Bashkuara për fëmijët ka ndihmuar në uljen e vdekshmërisë tek fëmijët në bashkëpunim me qeveritë e vendeve të zhvilluara dhe të varfra dhe me organizata joqeveritare.

Nga këto ndërhyrje, shkalla e vdekshmërisë tek fëmijët u ul nga 117 në 93 në 1 mijë fëmijë të lindur. I nxitur nga suksesi i këtij programi, takimi ndërkombëtar i nivelit të lartë për fëmijët i mbajtur në vitin 1990 bëri thirrje për ulje më të madhe në shkallën e vdekshmërisë tek fëmijët: 70 fëmijë të vdekur për 1 mijë fëmijë të lindur.

Objektivi i mësipërm nuk është realizuar ende. Deri në vitin 2000, thotë doktori Robert Black i Departamentit të Shëndetit në Universitetin Johns Hopkins në Baltimorë, mesatarja e vdekshmërisë në botë tek fëmijët ishte ende në 83 fëmijë për 1 mijë fëmijë të lindur.

“Përpjekjet për uljen e vdekshmërisë tek fëmijët u vazhduan për një farë kohe, por fatkeqësisht nuk vazhduan me ritmin e fillimit. Përpjekjet u braktisën para se të përmbushej qëllimi kryesor.”

Ekspertët thonë se vdekshmëria tek fëmijët paraqet një sfidë më të madhe se sa SIDA, Tuberkulozi dhe malaria të mara së bashku. Ekspertët theksojnë se sëmundjet tek fëmijët shoqërohen me diarre, ftohje dhe fruth.

Lindja e parakohshme, mungesa e ushqimit të gjirit të nënës, mungesa e ujit të pishëm dhe tetanozi janë disa nga shkaqet e tjera që ndikojnë në rritjen e shkallës së vdekshmërisë tek fëmijët. Gjysma e vdekjeve tek fëmijët ndodhin për arsye të kequshqimit.

Doktori Black, i cili mori pjesë në një konferencë shtypi në Washington mbi vdekshmërinë e fëmijëve tha se këto çështje nuk janë as të ralla dhe as të pakuptueshme nga mjeksia:

“Të paktën 6 milion vdekje tek fëmijët mund të shmangen në qoftë se ndërhyjmë duke përdorur mjetet mjekësore që kemi në dispozicion.”

Vdekjet më të mëdha ndodhin në vendet e varfra dhe ky fakt nuk na çudit, thotë doktori Black. Në 6 vende në zhvillim, Indi, Nigeri, Kinë, Pakistan, Republikën Demokratike të Kongos dhe Etiopi, ndodhin gjysma e vdekjeve tek fëmijët nën moshën 5 vjeçare. Ndërsa në 42 vende të tjera ndodhin 90 përqind e vdekjeve të fëmijëve të të gjitha moshave.

Drejtori i departamentit për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, doktori Hans Troedsson e cilëson situatën e krijuar si një dështim të organeve publike në përmbushjen e detyrave të tyre.

“Ajo që më prek më shumë është fakti se kemi mjetet e duhura për të parandaluar vdekjen e pjesës më të madhe të viktimave të pafajshme. Shkaku kryesor i dështimit tonë është se nuk kemi arritur të përdorim mjetet që mund të shmangin vdekjen tek fëmijët. Nuk kemi qënë në gjendje të përdorim si duhet burimet për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje të papranueshme.”

Ekspertët e mbledhur në Washington për të diskutuar rreth gjendjes së krijuar thanë se do të nevojiten 7-8 miliard dollarë çdo vit për të shpëtuar jetën e 6 milion fëmijëve në mbarë botën. Gazeta Lancet thotë se kjo shumë është vetëm dyfishi që shpenzohet për ndërtimin e dy aeroplan mbajtësve.

Doktori Robert Black i Departamentit të Shëndetit në Universitetin Johns Hopkins në Baltimorë shprehet:

“Shuma e lartpërmendur duket e madhe, por mendoj se duhet bërë një investim i tillë për të shpëtuar jetën e fëmijëve, aq më tepër kur kihet parasysh që qytetarët në Amerikën veriore shpenzojnë 17 miliardë dollar në vit për të ushqyer kafshët shtëpiake”.

Ekspertët thonë se duke mos përmbushur detyrimet ndaj fëmijëve, bota dështon të përmbushë detyrimet e saj për të ardhmen. //kk//

XS
SM
MD
LG