Lidhje

E-mailat komercialë - gangrena e internetit - 2003-06-29


Specialistët thonë se interneti është dyndur me lloj-lloj gjërash, si oferta për dieta, stimulantë seksualë, kredi me përqindje të ulët e të tjera, me vlera të dyshimta, që bllokojnë rrjetet kompjuterike çdo ditë me miliona mesazhe elektronike për një publik gjithnjë e më të zemëruar. Në fushën e teknologjisë janë bërë përpjekje të mëdha për ta frenuar efektin e një dukurie të tillë, por pa shumë sukses.

Edhe ligjvënësit janë të zemëruar dhe po punojnë për marrjen e masave kundër problemit të mesazheve të padëshëruara elektronike apo siç quhen në gjuhën teknike, ”spam e-mails” (speem i-mejlls, shq.).

Si një film me skena të frikshme, përbindëshi i mesazheve elektronike po i kanoset botës duke hyrë në mënyrë tinzare në jetën private përmes internetit. Viktima të tij janë 600 milionë përdorues të postës elektronike në mbarë botën, 180 milionë prej të cilëve vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Komisioni Federal për Tregëtinë vlerëson se mesazhet e padëshëruara përbëjnë rreth 40 për qind të të gjithë e-mailave, ndërkohë që kompanitë, të cilat ofrojnë shërbim interneti, druhen se kjo do ta ngadalësojë qarkullimin e informacionit në rrjet.

David Baker punon për një kompani të tillë. Ai thotë se “gjatë 18 muajve të fundit, moria e mesazheve të padëshëruara është rritur 5-fish, pra, ajo që përbënte vetëm një bezidsje vitin e kaluar, tani po kap përmasa kritike”.

Autorët e mesazheve të padëshëruara përdorin programe kopmjuterike për të depërtuar në llogaritë personale të e-mailave. Një prej metodave bazohet në prodhimin e miliona adresave të zakonshme dhe dërgimin e po aq mesazheve të padëshërueshme me shpresën se ato do të mbërrijnë tek sa më shumë individë. Një program tjetër përpiqet të thithë adresa nga interneti përmes faqeve komerciale, diskutimeve të grupeve të ndryshme përmes rrjeteve etj.

Ndërkaq, ligjvënës në mbarë botën po reagojnë. Një ligj i ashpër i Bashkimit Evropian hyn në fuqi në muajin tetor. Ky ligj parashikon që dërguesit e mesazheve-reklamë të marrin leje nga pronarët e adresave elektronike për përfshirjen e tyre në lista.

Kongresi amerikan, i mbizotëruar nga Partia Republikane, po e trajton ndryshe këtë problem. Për t’u mbrojtur nga mesazhet-komerciale të bizneseve të ligjshme, projekti-ligji i propozuar parashikon që vetë pronarët e adresave elektronike t’u kërkojnë kompanive heqjen nga lista.

Mirëpo, mbrojtës të ekonomisë së lirë, besojnë se ligjet e reja nuk janë përgjigja ndaj këtij problemi. Wane Crews i Institutit Cato thotë se zgjidhjet gjenden në vetë tregun, përfshirë shpikjen e teknologjive anti-spam dhe duke detyruar dërguesit e e-mailave komerciale të paguajnë për atë që tani për tani është falas.“Komandat legjislative nuk do të merren parasysh nga më të pabindurit. Po qe se ligjislacioni bën që këta të fundit ta trasferojnë biznesin e tyre në vende që janë jashtë juridiksionit të ligjit amerikan, atëherë ne vetëm sa kemi penguar veprimtarinë e bizneseve të ligjshme dhe do të bezdisim kompanitë që tashmë kanë vënë në jetë praktika që respektojnë këto kërkesa të pashkruara ende”.

Zoti Crews druhet se legjislacioni anti-spam mund të jetë gjithashtu në kundërshtim me të drejtat e sanksionuara në kushtetutë për lirinë e shprehjes. //az//

XS
SM
MD
LG