Lidhje

Reklamat “pushtojnë” filmat e Hollivudit - 2003-07-08


Ata që merren me reklamat e kanë kuptuar prej kohësh se mund të shesin më shumë mallra, nëse arrijnë t’i paraqesin në filma të njohur. Një gjë e tillë është shndërruar tashmë në një formë jo edhe aq të sofistikuar në reklama. Kur James Bond realizoi para 40 vjetësh filmin “Liçencë për të vrarë”, ai ngiste një Aston Martin prodhuar enkas për të, të papërshkueshëm nga plumbat. Tingëllon shumë origjinale për ditët e sotme.

Në filmin “Terminator 3”, Arnold Shvarceneger nget një Toyota Tundra. Është një kamion çmimi fillestar i së cilës është 17 mijë dollarë, me një fjalë të rinjtë mund të arrijnë ta blejnë.

Por në këtë botë plot me mjete komunikimi, të rinjtë e sotëm vështirë se mund ta shohin nga fillimi në fund një reklamë 30 sekonda të gjatë. Nga studimi i tregut, doli si përfundim se Toyota ka krijuar imazhin e makinave të bukura, të forta, por jo edhe aq sportive. Ja ç’thotë analisti i reklamave Wesley Brown:

“Ata po përpiqen që të japin një shtysë kësaj firme, në mënyrë që të rinjtë të thonë: ‘Toyota është një makinë e fortë, e sigurt, e papërshkueshme nga plumbat dhe ndoshta, ku i dihet, mund të jetë edhe moderne’”.

Kështu me një ngut që nuk e kanë patur kurrë më parë, kompanitë që prodhojnë makina po paguajnë 20-30 milionë dollarë për t’i nxjerrë prodhimet e tyre në filmat më të suksesshëm.

Tek filmi i ri “Matrix”, shfaqen shumë Kadillakë, ndërsa Lara Croft e filmit “Tomb Raider”, ulet me parashutë vetëm mbi një Jeep Wrangler Rubicon.

Shfaqja e prodhimeve është një modë e re në botën e reklamave, ku prodhimet janë pjesë e filmit. Si për shembull, tek filmi i James Bond: “Die another day”.

Agjenti 007 ende nget një makinë Aston Martin, ndërsa Halle Berry një lloj Pontiaku: Thunderbird. Së bashku ata reklamojnë 20 lloj mallrash në film, gjë që i ka sjellë studios 120 milion dollarë fitim. Marrëveshje të tilla për paraqitjen e prodhimeve në filma, po arrijnë shifra marramendëse. Magazina e një kompanie reklamash në Los Angeles është plot me prodhime, nga birra Miller, tek xhinset Lucky. Ja ç’thotë Tera Hanks që merret me reklamën në filma:

“Mendoj se tregu i medias është vërtet i paorganizuar dhe ky është një nga instrumentat që mund të përdorin korporatat për të dalë nga kaosi”.

Kritiku Gary Ruskin është i shqetësuar nga kjo strategji që përdorin firmat për të tërhequr blerësit. “Ne po shohim një vend që po pushtohet nga reklamat në çdo qelizë të jetës dhe kulturës sonë”.

Në filmin Josie and Pussycat, Hollivudi tallej me reklamat.

“Ne do ta kthejmë botën tuaj në një reklamë të stërmadhe televizive”, thoshte personazhi i filmit. Tani kjo nuk duket aq lag së vërtetës.//kk//

XS
SM
MD
LG