Lidhje

Imigrantët dhe Amerika - 2003-07-10


Rreth një milionë imigrantë që hyjnë çdo vit në Amerikë, ndërsa i përshtaten jetës në këtë vend, kanë prirjen që, megjithatë, të ruajnë disa nga zakonet e vlerat e origjinës së tyre, të cilat bëhen kështu pjesë e shoqërisë amerikane. Por procesi i kijimit të një identiteti me elemente të të dy kulturave: të vendit që kanë lënë pas dhe atë amerikane nuk është gjithmonë i lehtë.

Kay Kim nuk i kishte mbushur të 13-at kur imigroi në Shtetet e Bashkuara nga Koreja e Jugut bashkë me prindërit e saj. Ajo zbuloi se ndryshimi ndërmjet mjedisit që kishte lënë, dhe botës që gjeti, ishte themelor.

“Isha në klasën e shtatë kur erdhëm në Shtetet e Bashkuara. Nuk kishte asnjë aziatik në shkollën ku mësoja, kështu çdo ditë shihja vetëm të bardhë. Kur shihja veten në pasqyrë, tronditesha. Dukesha ndryshe nga njerëzit që më rrethonin”, tregon Kay.

Ajo tani është nënë dhe ka një vajzë adoleshente. Çdo të shtunë në mëngjes e çon me makinë në një shkollë koreane që të mësojë gjuhën, zakonet dhe historinë e të parëve të saj.

“Ajo që më shqetëson është se ime bijë mund të ndjehet inferiore për shkak të pamjes së ndryshme nga shokët e saj. Ajo është krejtësisht amerikane. Ka lindur dhe është rritur këtu. Është ushqyer me kuzhinën dhe kulturën amerikane, por pamja e saj është e ndryshme e njerëzit presin prej saj diçka të ndryshme, ndërkohë që ime bijë ndjehet si çdonjëri prej tyre, qoftë me sy blu, gri, flokë biondë a çfarëdo. Unë dua që ajo të jetë e vetëdijshme dhe krenare për origjinën e saj të ndryshme kulturore”, thotë zonja Kim.

Shayan Pasha, një emigrante e vč kurde, ka një shqetësim tjetër që lidhet me rritjen e dy djemve të saj në shoqërinë amerikane. Fëmijët, tregon ajo, iu përshtatën shumë shpejt mënyrës amerikane të jetesës, të cilën e konsideron si më tolerante nga ajo e vendlindjes.

“Për ta, meqenëse ishin fëmijë kur erdhëm në Amerikë, ishte shumë më e lehtë të përfshihesin në shoqëri. Kështu ata përpiqen të përqafojnë mënyrën amerikane të të sjellurit duke e ndjerë veten tepër të lirë kur flasin, të shkojnë ku të duan e gjëra të tilla. Për mua, thotë ajo, është e vështirë të mësohem me këtë, pasi në kulturën tonë fëmijët janë më të kufizuar. Ata duhet t’u marrin më shumë mendimin dhe lejen e familjes”.

Në disa raste, gjetja e një ekuilibri ndërmjet dy kulturave është më e lehtë kur imigrantët vendosen në enklava etnike me origjinë dhe vlera të përbashkëta. Rreth 50 mijë hebrenj nga Bukharani, që dikur konsiderohej pjesë sovjetike e Azisë Qendrore, jetojnë tani në lagjet dinamike të Kuinsit në Nju Jork. 26-vjeçari Potar Pinkhasov, imigrant nga Uzbekistani, thotë se ndërsa hebrenjtë nga Bukharani janë përfshirë plotësisht në jetën profesionale e të biznesit në Nju Jork, komuniteti vazhdon të mbajë në qendër të vëmendjes traditën e vjetër fetare të Bukharanit.

“Në Amerikë ne kemi liri fjale, lëvizjeje a grupimi në një organizatë politike. Kështu hebrenjtë me origjinë nga Bukharan e shfrytëzojnë këtë liri e, në veçanti, lirinë e ushtrimit të fesë. Në Uzbekistan, në kohën e Bashkimit Sovjetik, kishte pak sinagoga, kurse në Amerikë, vetëm në Nju Jork, ekzistojnë dhjetra sinagoga të komunitetit tonë. Jeta në Amerikë ka sjellë ndryshime të mëdha në komunitetin tonë”, thotë zoti Pikhasov.

Disa imigrantë janë në gjendje ta transformojnë kulturën e vendlindjes së tyre në një urë lidhëse ndërmjet dy shoqërive. Uague Diakitre, prozator që është rritur në preritë e Republikës së Malit në Afrikën Perëndimore, ka botuar me sukses libra të ilustruar me subjekte afrikane për lexues amerikanë. Ai beson se këto histori mund të luajnë një rol të rëndësishëm ndërlidhës në kushtet e ritmeve marramendëse të jetës në Amerikën e sotme.

XS
SM
MD
LG