Lidhje

Kryeministri Blair flet para Kongresit - 2003-07-23


Britania, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e lira janë të bashkuara si kurrë më parë. Këto janë disa nga fjalët që Kryeministri britanik Tony Blair tha në një fjalim që ai mbajti para Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ky bashkim, tha zoti Blair na jep shanse të papara por njëkohësisht na bën më të prekshëm se kurrë. “Kërcënimi vjen nga pjesa tjetër e globit ku mbizotëron errësira, ku bota nuk është e lirë, ku miliona vuajnë nga diktaturat brutale, ku një e treta e planetit jeton në një varfëri të cilën nuk mund ta imagjinojnë as edhe njerëzit më të varfër të shoqërive tona dhe ku kanë ngritur kokë esktremizmi fetar i tipit fanatik duke shtrembëruar besimin e vërtetë dhe paqësor të islamit.”

Terrorizmi ka dalë në sipërfaqe si pasojë e këtyre problemeve. Forca ushtarake nuk mund t’a mposhtë terrorizmin. Armët tona më të mira, tha Kryeministri Blair, janë besimi ynë dhe jo armët.

“Ekziston një mit që ne e duam lirinë ndërsa të tjerët jo, që vlerësimi për lirinë është produkt i kulturës sonë, që liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti juridik janë pjesë e vlerave amerikane ose perëndimore, që gratë afgane ishin të kënaqura nën regjimin taleban, që Sadam Huseini ishte në një farë mase njeriu më i dashur nga populli i tij dhe që Slobodan Milosheviçi ishte shpëtimtari i Serbisë”.

Kryeministri Blair tha se sa herë dhe kudo ku njerëzve u jepet mundësia të zgjedhin, zgjedhja e tyre është liria, demokracia, shteti juridik dhe jo shteti policor, jo tirania, jo diktatura. Fryma e lirisë, tha kryeministri Bler, është siguria më e mirë për një shoqëri të lirë. “Ashtu si terroristët përpiqen të përçajnë njerëzimin me anë të urrejtjes, ashtu duhet që edhe ne ta bashkojmë njerëzimin rreth një ideje. Dhe kjo ide është liria. Ne duhet të gjejmë forcën që të luftojmë për këtë ide dhe bujarinë për ta bërë atë universale, tha zoti Blair.”

Vendet e lira duhet të jenë gati të përdorin forcën ushtarake kur siguria e tyre kërcënohet. Në raste të tjera, tha Kryeministri Blair, duhet të përdoret forca e arsyes por në të gjitha rastet për të njëjtin qëllim: që liria për të cilën ne luftojmë të mos jetë vetëm për disa por për të gjithë sepse ajo është rruga e vërtetë drejt fitores. //kk//

XS
SM
MD
LG