Lidhje

Kongresi amerikan debaton për informacionet e zbulimit - 2003-07-25


Një komision i kongresit zhvilloi seancën e parë të hapur për publikun në lidhje me të dhënat e zbulimit që u shfrytëzuan nga administrata e presidentit Bush për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake në Irak.

Komisioni i Përhershëm i Dhomës së Përfaqësuesve mbi Shërbimet e Zbulimit, u drejtoi pyetje dy ish-drejtorëve të CIA-s dhe ekspertëve të tjerë.

Me çfarë problemesh përballen agjencitë e zbulimit për të siguruar dhe raportuar informacion të saktë? Si munden presidenti dhe zyrtarë të tjerë të marrin vendimet më të mira në lidhje me kërcënimet e drejtpërdrejta? Çfarë mësimesh mund të nxirren nga debatet që dolën në lidhje me informacionin që çoi në ndërhyrjen ushtarake në Irak?

Këto ishin pyetjet themelore me të cilat u përballën dy ish-drejtorët dhe zyrtarë të tjerë të zbulimit. Kryetari republikan i komisionit, ligjvenësi Poter Goss, thotë se nuk ka arsye të besojë që vlerësimet e zbulimit përsa i përket Irakut ishin të gabuara dhe të pasakta.

Anëtarë të tjerë të komisionit kanë pikëpamje tjetër. Ligjvënësja Anna Eshoo, Demokrate nga Kalifornia, thotë se shumë pyetje kanë nevojë për përgjigje.

“Të dhënat e zbulimit që u bënë publike me aq siguri, të cilat çuan në luftë me Irakun, pikërisht ato të dhëna, po vihen sot në diskutim nga populli amerikan. Në të vërtetë është deklaruar dhe përsëritur pa mbarim që Iraku përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për Amerikën. Si mund ta vërtetojmë një gjë të tillë sot?”

Të dy ish-drejtorët e CIA-s, James Woolsey dhe John Deutch, thonë se hetimet mbi të dhënat e zbulimit para lufte nuk duhet të përqendrohen nësynimin për të gjetur fajtorë.

Megjithatë, zoti Deutch, i cili ka shërbyer në administratën e Presidentit Clinton, thotë se mos-gjetja e armëve të shkatërrimit në masë në Irak do të ishte dështim i zbulimit në përmasa të mëdha.

“Vlerësimi dukshëm i gabuar për praninë dhe shpejtësinë e kundërpërgjigjes së armëve irakiane të shkatërrimit në masë është një gabim tepër serioz i zbulimit. Kjo për shkakun se të dhënat nga të cilat varet një vendim për ndërhyrje ushtarake duhet të jenë të sigurta dhe të sakta”.

Ish-drejtori i CIA-s, Woolsey, thotë se nuk duhen nxjerrë përfundime të nxituara se të dhënat e zbulimit për Irakun ishin fallso. Kurse, përsa i përket rrezikut të kërcënimit Irakian, apo sa i drejtpërdrejtë ishte ai, zoti Woosley thotë se realitetet e luftës kundër terrorit mund të kërkojnë një trajtim tjetër.

“Po të kemi diktatura të tilla si Iraku, që sigurisht kishte lidhje me grupe terroriste, (njëfarë lidhjeje me al-Qaidën, por sigurisht me abbu-Nidal-in e grupe të tjera,) diktaturë që kishte programe të armëve të shkatërrimit në masë, edhe sikur të mos e dimë se ku ndodhen stoqet e tyre, ne e dimë se ata kanë prodhuar armë kimike dhe biologjike dhe se ekzistonin mundësitë që ato t’ua jepnin grupeve terroriste. Për mendimin tim, këtu qendron rreziku i kërcënimit me të cilin ne duhet të përballemi e për të cilin duhet të shqetësohemi në rrethanat e reja të krijuara pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit”.

Një nga kritikat kryesore të Kongresit ndaj presidenitt Bush është se administrata nuk i sqaroi informacionet e zbulimit, nuk i përmendi dyshimet rreth saktësisë së tyre, kur argumentoi para Kongresit se përse duhej ndërhyrë ushtarakisht në Irak, duke mashtruar kështu amerikanët në lidhje me natyrën e kërcënimit nga ky vend.

Por John Hamre i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se është krejtësisht e lehtë për ekspertët e zbulimit të dalin në përfundime të gabuara.

“Të duhet të kërkosh gjithmonë për garanci, ndërkohë që informacioni është qenësisht i pasigurt. Përpiqesh të gjesh se çfarë është e vërtetë në këtë informacion, ku mund të bazohesh, ndërkohë, detaje të tjera dalin nga vëmendja e analistit, sa më shumë që informatat plotësuese zhduken. Është fjala për detaje të tilla, si: Si e kemi siguruar këtë informacion, sa i besueshëm është, a e kemi verifikuar të dhënën e agjentit etj.?”

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin premton për seanca të tjera me dyer të hapura duke filluar që nga shtatori, pas pushimeve 5-javore të ligjvënësve. Është ende e paqartë nëse zyrtarë të administratës së presidentit Bush do të jenë të pranishëm gjatë këtyre seancave.//kk//

XS
SM
MD
LG