Lidhje

Shqipëri – tregues pozitivë në sektorin energjitik - 2003-07-27


Zyrtarët e energjisë njoftuan për një përmirësim të ndjeshëm të shifrave që tregojnë se kriza e mungesës së energjisë elektrike në vend ka kaluar. Drejtues të Korporatës Elektro-energjitike Shqiptare (KESH) bënë të ditur se prodhimi i energjisë nga hidrocentralet është rritur sërish duke mbuluar tërësisht konsumin vendas nga qytetarët dhe fabrikat private në masën prej 13 milionë kilovat/orë.

Zyrtarët kanë urdhëruar ndalimin e plotë të energjisë jashtë vendit. Por veprimtaria e eksport-importit do të rifillojë me vënien në funksionim të linjës ndërkombëtare Elbasan-Greqi.

Sipas të dhënave më të fundit nga ministria e energjitikës, niveli i ujërave në hidrocentralin e Fierzës, prodhuesi më i madh shqiptar, është në maksimum, rreth 290 metra lartësi. Kjo përbën garanci jo vetëm për prodhim konstant të energjisë, por edhe për të shmangur në një periudhë afatmesme përsëritjen e krizave dramatike të energjisë.

Njëkohësisht është shmangur edhe kriza financiare e KESH-it, e vetmja kompani që realizon këtë lloj shërbimi në vend. Qytetarët kanë rritur ndjeshëm nivelin e arkëtimeve të faturave për energjinë e konsumuar duke lënë pas edhe një pjesë të borxheve shumëvjeçare.

Specialistët e Korporatës pohojnë se ndërprerjet e energjisë janë hequr në një masë të madhe. Në ato zona ku energjia ndërpritet, arësyet janë për shkak të faturave të papaguara ose për difekte teknike. Reduktimet e energjisë janë sistematikisht disaorëshe në ato qytete që nuk paguajnë energjinë e harxhuar duke u shndërruar gati në një “program edukimi” për pagim faturash. Ndërsa në qytetet që paguajnë në masë të madhe ndërprerjet janë minimale.

Ky është viti i parë që flitet për shmangie të krizës energjitike. Shqipëria u zhyt prej tre vjetësh në një krizë të rëndë energjie, teksa hidrocentralet ishin të boshatisura nga ujërat dhe importi ishte burimi kryesor për të tejkaluar situatën. Institucionet financiare ndërkombëtare kërkuan një përmirësim urgjent të menaxhimit të KESH, shumë fonde të të cilit u shpërdoruan.

Ndërkohë humbjet teknike të sistemit energjitik janë ende të konsiderueshme, ndërsa në mungesë të aparatëve matës, një numër i madh familjesh nuk e paguajnë fare energjinë ose e paguajnë atë në shuma të llogaritura me përafërsi. Në këtë situatë ende të vështirë, ekspertët janë duke studiuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë. //az//

XS
SM
MD
LG