Trupat e qeverisë së Liberisë vazhdojnë sot luftimet me forcat kryengritëse, një ditë para mbrritjes së planifikuar të paqëruajtësve afrikano-perëndimorë.
Dëshmitarët njoftojnë për të shtëna sporadike afër Urës së Vjetër dhe Urës Johnson Tucker, skenë e luftimeve të ashpra gjatë 2 javëve të fundit. Rebelët janë përpjekur disa herë, por kanë dështuar që të marrin nën kontroll kryeqytetin në 3 muajt e fundit.
Ndërkohë, agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin njoftoi se hodhi sot nga ajri 500 kilogram biskota me kalori të lartë në Monrovia për të ndihmuar refugjatët dhe banorët lokalë, të bllokuar nga luftimet. Programi Botëror i Ushqimit tha se dëshiron të shpërndajë bërnda pak ditësh 12 tonelata furnizime, sasi kjo e mjaftueshme për rreth 100 mijë vetë.
Luftime u zhvilluan edhe dje, megjithëse presidenti Charles Taylor, u zotua të largohet nga pushteti më 11 gusht për të përmbushur kërkesat e komunitetit ndërkombëtar.
Megjithëse njoftimi i djeshëm ishte hera e parë që zoti Taylor përcakton datën e dorëheqjes së tij, ai nuk tha në se do të shkojë në mërgim në Nigeri, ku ai ka pranuar një ofertë për strehim politik. Zoti Taylor tha gjithashtu se, para se të largohet nga Liberia, ai kërkon që të shfuqizohet një akt-padi për krime lufte kundër tij për rolin që luajti në luftën civile në Sierra Leonen fqinje.
Dhuna ka shkaktuar qindra të vrarë në Monrovia, duke bërë që vendet e Afrikës Perëndimore të krijonin një forcë paqëruajtëse nën komandën e Nigerisë, e cila duhet të mbrrijë në Liberi nesër.
//ze//