Lidhje

Kryetari i PD(r) Genc Pollo për strategjinë elektorale të zgjedhjeve - 2003-08-05


Partia Demokrate e Re, një prej partive të opozitës, ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhjet vendore. Kryetari i partisë Genc Pollo, ndërkohë vazhdon të këmbëngulë që opozita të kërkojë një mocion mosbesimi në parlament për kryeministrin Fatos Nano. Për të diskutuar mbi strategjinë e kësaj partie për zgjedhjet vendore, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë, kryetarit të saj zotit Genc Pollo.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollo para se të ndalemi tek kërkesa për t’i hequr votëbesimin qeverisë, a mund të na njihni me përgatitjet e partisë tuaj për zgjedhjet e tetorit?

Genc Pollo: Po mendoj se po ecin mirë dhe shumë shpejt do të konfirmojmë kandidaturat për të gjitha bashkitë dhe komunat. Pothuajse kemi përfunduar platformën e përgjithshme mbi të cilën do të bazohen kandidatët tanë dhe mbi këtë bazë çdo kandidat dhe çdo degë e jona do të formulojë dhe do të adaptojë platformën konkrete sepse ato ndryshojnë meqë ndryshojnë rrethanat nga Korça në Shkodër, apo nga Vlora në Kukës dhe unë jam optimist, që si subjekt politik, si parti politike, jo vetëm do të konfirmojmë suksesin e viteve më përpara, por do të arrimë një rezultat më të mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollo partia juaj ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje. Në se synimi juaj si opozitë është largimi i socialistëve, a mendoni se strategjia e daljes më vete do ta ndihmojë opozitën?

Genc Pollo: Kam besuar që një marrëveshje e arësyeshme me pjesën tjetër të opozitës, me Partinë Demokratike do të ishte e nevojshme dhe do ti shërbente një interesi të përbashkët për të kaluar socialistët në minorancë, megjithatë një tentativë e tillë nuk pati sukses, besoj në rradhë të parë sepse hasi në intrasigjencën e Partisë Demokratike apo të një grupi regresiv brenda saj i cili e bëri të pamundur çdo lloj koalicioni parazgjedhor me ne.

Zëri i Amerikës: Dje në një intervistë me Zërin e Amerikës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se ofertat për partinë tuaj kanë qënë maksimale dhe ju i keni refuzuar ato.

Genc Pollo: Unë nuk besoj që këto fjalë përputhen me të vërtetën. Ne kemi kërkuar disa gjëra parimore nga PD, që të deklarohet që nuk do të bojkotojë pasi kemi përvoja të këqija në të kaluarën me këtë çështje. Ne kemi propozuar që të dy subjektet tona të bien dakort mbi kritere të përbashkëta për kandidatët për kryetar bashkie dhe komuna si dhe për platforma të përbashkëta për bashkitë dhe komunat. Por kjo u refuzua sepse në mënyrë të njëanëshme PD-ja donte t’i përcaktonte vetë kandidatët për kryetar bashkie dhe për fat të keq, nuk arritëm të diskutonim për platforma. Në se do të ishin pranuar kriteret e përbashkëta, atëhere unë besoj që edhe nga Partia Demokratike nuk do të ishin shfaqur kandidatë të dobët apo emra krejt të papërshtatshëm, siç dolën për fat të keq, në disa bashki kryesore të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollo, çfarë qëndrimi do të mbani për bashkinë e Tiranës, a do të dilni me kandidatin tuaj apo do të mbështesni ndonjë kandidat tjetër?

Genc Pollo: Unë besoj që Tirana është pjesë e Shqipërisë dhe në qoftëse ne do të vendosim të dalim më vete, do të kemi edhe aty zgjidhjen tonë. Mundësia për të bashkëpunuar me forcat e tjera në opozitë mbetet kryesisht në dorë të degëve tona lokale dhe në ndonjë rast edhe mund të ndodhi, po sidoqoftë është kompetencë e tyre brenda një kuadri më të qartë. Ajo që do të doja të theksoja është që kisha shpresuar që të paktën për disa çështje të rëndësishme të politikës bashkiake, të binim dakort. Për Partinë Demokrate të Re është shumë e rëndësishme të njoftojmë që ne do të angazhohemi, që nëpërmjet këshillave bashkiake, parlamenteve lokalë, roli i të cilave është shumë i rëndësishëm krahas atij të kryetarit të bashkisë, të angazhohemi që të ulen tatimet bashkiakesepse administrata socialiste në Tiranë, në Durrës, në Korçë, Vlorë, Elbasan dhe Fier i kanë ngritur tatimet bashkiake në mënyrë krejt të paarsyeshme dhe asfiksuese, sidomos për biznesin e vogël.

Zëri i Amerikës: T’i kthehemi tani kërkesës tuaj për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Ju e keni kërkuar këtë, ndonëse nuk e keni numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të rrëzuar qeverinë. A jeni i shqetësuar se zhvillimi i një votimi të tillë, mund të sillte efekt të kundërt, pra dhënien e një votëbesimi të ri ndaj qeverisë?

Genc Pollo: Mendoj që në sistemet parlamentare në Evropë, opozita gjithmonë paraqet mocionin e mosbesimit dhe përderisa është opozitë, ajo në mënyrë natyrale nuk i ka numrat për të patur mazhorancën, pra përndryshe nuk do të ishte opozitë por do të kishte formuar qeverinë. Unë mendoj që mocioni i mosbesimit paraqitet sa herë ka krizë në qeveri dhe kabineti humbet mazhorancën. Pikërisht kjo gjë ka ndodhur me qeverinë Nano kur ministri më i rëndësishëm i kabinetit nuk u miratua për shkak se një pjesë e konsiderueshme e mazhorancës së majtë, një numër i lartë i deputetëve të PS, nuk e mbështetën ministrin e propozuar nga kryeministri Nano dhe besoj që opozita ka dy alternativa. Opozita ose duhet të rrijë e palëvizshme dhe në këtë rast kryeministri Nano mund ta shtyjë jo vetëm në shtator, jo vetëm në zgjedhjet e tetorit, deri në kongres, por deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare i patrazuar fare, madje ai në pikun e zgjedhjeve mund të bëjë dhe një propozim dhe në kohë fushate do zgjerohen rradhët dhe ai do i zgjerojë me hir ose me pahir edhe deputetët e vet, të pranojnë çdo lloj kandidati. Ose alternativa tjetër, të cilën unë do ta preferoja, është që të gjithë së bashku, në gusht në se është e mundur, ose në fillim të shtatorit, kur fillon sesioni normal i kuvendit, të paraqesim mocionin e mosbesimit pasi momenti është klasik për ta paraqitur atë. Dhe besoj që nuk janë thjesht 55 votat e opozitës në lojë por kemi të bëjmë me faktorin opozitë plus dhe e them këtë sepse është një pjesë numerikisht e rëndësishme e mazhorancës që nuk është dakort me qeverinë Nano dhe në qoftëse biem dakort që qeveria Nano po e tërheq vendin zvarrë, atëherë duhet rrëzuar. Ky mendoj unë është momenti oportun. Është e habitshme që një pjesë e opozitës nuk e shikon këtë dhe përpiqet t’i shmanget detyrimit klasik opozitar në politikë.

Zëri i Amerikës: Pra ju shpresoni se kjo pjesë opozitare brenda Partisë Socialiste, e cila kundërshtoi emërimin e një ministri, do të shkojë deri aty sa të rrëzojë vetë qeverinë e saj, pra t’u mbështesë juve?

Genc Pollo: Jo unë nuk mund të flasë për ata, por gjykoj që një gjë e tillë është mjaft e mundur dhe për t’ia arritur asaj, në se ky synim është i përbashkët, duhen ndërmarrë hapat e duhur në mënyrë që të realizohet kjo. Nuk ka asnjë iniciativë pa rrisk, as në biznes, as në çështje të tjera të jetës dhe as në politikë. Natyrisht kur i futesh një loje edhe mund të fitosh edhe mund të humbasësh, por unë gjykoj që shanset për të fituar janë mbi 70 apo 75 përqind.

XS
SM
MD
LG