Interneti e ka ndryshuar jetën e njerëzve në shumë drejtime dhe njëri prej tyre është mënyra se si njerëzit lexojnë libra. Mënyra e re është libri elektronik. Por çfarë përfaqëson ai për të ardhmen?
Le tëpërfytyrojmë se është ora 2 e natës dhe juve nuk ju ze gjumi. Ju ngriheni, hapni kompjuterin dhe kontrolloni e-mailin. Asgjë e re. Provoni të lexoni lajmet në internet. Përsëri asgjë e re. Atëhere ju provoni diçka tjetër.
Me fjalën kyç "e-books" filloni të kërkoni në internet. Në ekran ju shfaqet një listë e gjatë me libra elektronikë që mund të lexohen falas. Disa prej tyre janë të Shekspirit dhe ju zgjidhni Henrikun e Pestë. Brenda pak orësh ju keni mbaruar së lexuari librin dhe bini të flini.
Për më tepër e keni lexuar atë pa paguar asgjë. Në Internet mund të gjesh mijra libra të tillë falas. Librat elektronikë nuk janë një ide e re, por ato po bëhen më të rëndësishëm, më interesantë dhe më të lehtë për t’u gjetur.
Një nga faqet e internetit ku mund t’i gjeni ato është i ashtuquajturi Projekt Gutenberg. Ideja për këtë projekt i lindi një njeriu të quajtur Michael Hart. Në vitin 1971, ai ishte informaticien që punonte në Universitetin e Ilinoit. Universiteti i kishte dhënë atij një kompjuter të madh dhe modern si dhe një fond parash për eksperimente.
Michael Hart vendosi ta përdorë kompjuterin për të futur aty një numër librash të famshëm të cilët të mund t’i lexonte çdo njeri që do të lidhej me këtë kompjuter. Dokumneti i parë që ai futi në kompjuter ishte Deklarata Amerikane e Pavarësisë.
Që nga ajo kohë, qindra njerëz të tjerë kanë vepruar si ai, duke shpenzuar kohën e tyre për të futur libra në internet.
Sot, Projekti Gutenberg në Internet përmban më shumë se 6 mijë libra dhe të gjithë falas. Ato mund t’i lexosh pavarësisht nëse ndodhesh në Shqipëri, në Indi, apo në Amerikë. Shumë libra janë në gjuhë të huaja. Gjithsej projekti përmban libra në 15 gjuhë.
Këta libra ofrohen falas sepse ato nuk e kanë mbrojtjes e së drejtës së autorit. Natyrisht në internet mund të gjesh edhe libra që e kanë një mbrojtje të tillë, por për ato duhet të paguash.
Shumë kompani shesin libra elektronikë në Internet, për të cilat blerësi paguan me kartë krediti. Në Shtetet e Bashkuara ka dy kompani të tilla, Amazon dot Com dhe Barnes and Noble. Kjo e fundit për shembull këtë verë po shet në internet librin e ri të senatores Hillary Clinton, “Histori e Gjallë”. Libri kushton 17 dollarë.
Në Internet mund të gjesh libra edhe për subjekte të tjera. Një kompani e quajtur “Science Week”, ofron për shembull libra elektronikë për kancerin, neurobiologjinë, kiminë dhe tema të tjera të shumta.
Natyrisht, për të lexuar një libër të tillë juve ju duhet një kompjuter dhe lidhja me internetin. Por për disa libra të tjerë mund të duhen programe të posaçme leximi, të cilët e bëjnë informacion më të lehtë për t’u lexuar apo kopjuar. Dy nga këta programë janë Microsoft’s Reader dhe Adobe e-book reader.
Kompanitë që i kanë prodhuar këta programe i japin ato falas. Shumë njerëzve nuk u pëlqen të lexojnë një libër duke u ulur para kompjuterit, ata preferojnë librin prej letre, të cilin mund ta marrësh me vete, mund ta fusësh në çantë dhe ta lexosh ku të duash. Prandaj disa kompani kanë krijuar një mekanizëm të vogël i cili bën të mundur që librin elektronik ta kalosh nga kompjuteri tek ky mekanizëm leximi dhe ta marrësh këtë me vete kudo që shkon.
Lexuesi elektronik ka një ekran pothuajse sa faqja e librit dhe mund të mbajë 10 mijë faqe elektronike ose 10 libra të trashë.
Librat elektronikë mund të bëhen më popullorë në të ardhmen. Për shembull, një student nuk do të ketë më nevojë të shkojë në librari sa herë që i duhet një tekst por mund ta gjejë atë në Internet.
Shumë ekspertë thonë se revolucioni në fushën e librit eletronik tashmë ka filluar.