Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri, tha sonte në Prishtinë, se do të punojë që misioni i tij, të përmbushet sa më parë. Ai i bëri këto komente në takimin e parë me gazetarë, gjatë vizitës, që është po ashtu e para në Kosovë, që prej emërimit të tij në postin e shefit të UNMIK-ut. Zoti Holkeri ,i cili dje dhe sot është takuar me udhëheqësit më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, tha se është i vetëdijshëm për sfidat e rënda që e presin në Kosovë. “Ndër detyrat kryesore është përforcimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar, terrorizimit e veprimtarive ekstremiste”, tha ai.
Zhvillimi i mëtejshëm i një sistemi demokratik dhe shumëetnik të drejtësisë, policisë dhe përgjithësisht institucioneve të përkohshme është përparësi e punës, tha zoti Holkeri, duke theksuar përkushtimin për dialog, integrim dhe ndërtim të shoqërisë shumetnike. Ai tha se do të punojë për ta afruar Kosovën me standardet ndërkombëtare dhe evropiane dhe për zhvillimin ekonomik të saj.
Zoti Holkeri tha se do të do të vazhdojë përkushtimet e bëra në takimin e Bashkimit Evropian në Selanik, për fillimin e bisedimeve të drejtëpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për zgjidhjen e cështjeve teknike. Por, lidhur me kohën e fillimit të tyre tha se një ide më të qartë, pręt ta ketë pas vizitës, që do t’i bëjë nesër Beogradit, ku do të takohet me udhëhehqësit më të lartë serb.
Zoti Holkeri tha se do të jetë transaparent dhe do të bashkëpunojë me të gjithë, por nuk do të ndikohet nga askush në punën e tij. “Përkushtimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës nuk ka pësuar pavarësisht nga sfidat e mëdha nëpër pjesë të ndryshme të botës. Ekziston një shpresë e përgjithshme se misioni mund të përmbushet sa më shpejtë që është e mundur, dhe do të punojë për këtë”, theksoi zoti Holkeri.
Ai shprehu ndërkaq keqardhjen për faktin se, vizita e tij në Kosovë, sic tha, mbeti nën hijen e incidentit të djeshëm në një fshat të Kosovës perëndimore ku humbën jetën dy pjestarë të komunitetit serb dhe u plagosën disa të tjerë. Ai tha se Misioni do të bëjë gjithë c’është e mundur për të vënë autorët para drejtësisë. Kjo cështje ishte edhe temë qendrore e bisedimeve që ai zhvilloi sot me udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe partive politike, të të dyja komuniteteve në Kosovë, të cilët e kanë dënuar fuqishëm incidentin. Zoti Holkeri tha se “dëshiron të nënvizojë se është përgjegjësi e udhëheqësve politik të Kosovës, që të punojnë me UNMIK-un, për të luftuar dhunën ndëretnike”.
Zoti Holkeri do t’i jap fund vizitës së tij sonte me një takim me dyer të mbyllura me udhëheqësit e zyrave të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, ndërsa, brenda disa javësh ai do të kthehet për të vazhduar punën aty ku e ka lënë paraardhësi i tij, diplomati gjerman, Michael Steiner.
//rd//