Lidhje

OKB do të pakësojë personelin në Irak - 2003-08-22


Kombet e Bashkuara njoftuan se do të pakësojnë personelin e tyre në Irak dhe do të shqyrtojnë masat e sigurisë për shkak të shpërthimit të kamionit bombë të martën e kaluar.

Trupi i të dërguarit të lartë të OKB-së në Irak, Sergio Vieira de Mello, u nis sot nga Iraku, pas një ceremonie lamtumire emocionale në aeroportin e Bagdadit.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se vrasja e zotit de Mello dhe 21 personave të tjerë në zyrat e OKB-së në Bagdad nuk do të bëjë që agjencitë e ndihmave të ndalojnë misionet e tyre humanitare dhe ato të rindërtimit në Irak.

Megjithatë, disa organizata ndërkombëtare kanë evakuuar tashmë të paktën disa prej punonjësve të tyre. Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara tha se të paktën një e treta e personelit të kësaj organizate ndërkombëtare do të transferohet në Jordani, ose në Qipro.

Zyrtarë amerikanë dhe të OKB-së thanë se është shumë herët të thuhet se kush mund të fshihet pas shpërthimit të së martës. Megjithatë, një zyrtar i policisë amerikane në Irak tha se hetuesit po hetojnë mbi mundësinë që rojet irakiane të sigurimit, të cilët punojnë për Kombet e Bashkuara, mund të kenë ndihmuar organizatorët e sulmit.

Ndërkohë, sulmet vazhduan ndaj trupave amerikane në Irak. Komanda Qëndrore njoftoi se një marins u vra dje nga një sulm afër qytetit Hilla. 64 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën nga zjarri i armikut në Irak, që kur presidenti Bush shpalli përfundimin atje të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, më 1 maj.// lk //

XS
SM
MD
LG