Lidhje

India shton masat e sigurimit në qytetet kryesore të vendit - 2003-08-26


India ka shtuar masat e sigurimit në qytetet kryesore të vendit, pas dy shpërthimeve të djeshme me makinë bombë në kryeqytetin financiar të vendit Bombei, i njohur edhe si Mumbai, nga të cilët u vranë 46 veta dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Forca të tjera policore u dislokuan në Bombei, në kryeqytetin New Delhi dhe në qytete të tjerë në mbarë Indinë.

Të dy shpërthimet ndodhën brënda disa minutash. Deri tani asnjeri nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kina u bashkuan me Paskistanin për të dënuar shpërthimet. Zëvëndës-kryeministri i Indisë, Lal Krishna Advani, ka në plan të vizitojë sot vendet e shpërthimeve.

Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell i telefonoi ministrit indian të punëve të jashtme, Yashwant Sinha, për të dënuar shpërthimet në Bombei.

Zëdhënësi i departamentit të shtetit, Philip Reeker, i cilësoi shpërthimet si të pakuptimta dhe prej frikacakësh.

“Sekretari Powell shprehu keqardhjen tonë për këto sulme. Ai u shprehu ngushëllime qeverisë së Indisë e popullit indian dhe veçanërisht familjeve të viktimave dhe të të plagosurve.”

Zëdhënësi Reeker tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që personat përgjegjës për shpërthimet do të gjehen së shpejti dhe do të nxirren para drejtësisë.

Në të kaluarën, India ka fajësuar për sulme të tilla ekstremistë të mbështetur nga Pakistani fqinj. Islamabadi i dënoi menjëherë shpërthimet më të fundit, duke i cilësuar si akte terrori.

Njëri prej shpërthimeve ndodhi në një zonë historike e njohur si Porta e Indisë, ndërsa shpërthimi i dytë ndodhi afër një zone me dyqane bixhuterie plot me njerëz.

//ze//

XS
SM
MD
LG