Lidhje

Debati mbi kulturën e punës në Agjensinë Amerikane të Hapësirës - 2003-08-28


NASA u kritikua ashpër për rrëzimin e anijes Kolumbia. Grupi hetues i incidentit tha se një kulturë e besimit të tepruar ishte kohët e fundit një nga tiparet e punës së agjencisë amerikane të hapësirës. Por si u arrit në këtë pikë? NASA e krijoi emrin e saj duke realizuar të pamundurën: udhëtimin në hapësirë. Ajo vepronte me vendosmëri dhe pa shpërfillur asnjë detaj. Por para një dekade, NASA filloi të pakësonte personelin e saj. Edhe buxheti i programit të anijeve të hapësirës u pakësua me tre çerek miliard dollarë. Motoja e re? “Më shpejt, më mirë, më lirë”. Në hijen e dy tragjedive me anijet e hapësirës, tani shtrohet pyetja: me çfarë kostoje?

Doktor John Clark është njëkohësisht punonjës i NASA-s dhe bashkëshort që vuan. Gruaja e tij, Laurel vdiq në tragjendinë e Kolumbias, duke e lënë atë vetëm me djalin e tyre tetëvjeçar. Ai shpreson që raporti i kohëve të fundit për NASA-n të ndihmojë për të ndryshuar një kulturë, ku vetëkënaqësia dhe shtypja e mendimit ndryshe ishin bërë diçka e zakonshme. Diane Vaughn, një sociologe që këshilloi grupin hetimor lidhur me kulturën problematike të NASA-s thotë se agjencia ka krijuar një traditë të shpërfilljes së këshillave nga jashtë, edhe pas shpërthimit të anijes Challenger. “Fakti që u bë hera e dytë që ndodh një aksident i tillë dhe problemet që shkaktuan të parin nuk janë zgjidhur, të ngjall dyshimin nëse ata janë në gjendje ta zgjidhin këtë radhë”, thote sociologia.

Megjithatë ajo thotë se jo të gjitha problemet e NASA-s kanë lindur nga brenda. Prej vitesh, zyrtarët qeveritarë në Washington kanë kërkuar që NASA të punojë më shpejt dhe më lirë.

Dhe një gjë e tillë ka sjellë pasoja. Deri në mes të viteve ’90, NASA bënte 40 mijë inspektime para një fluturimi në hapësirë. Tani ajo bën vetëm 8 mijë e 500. Të tjerat u lihen kontraktorëve të jashtëm, shpesh pa një kontroll të drejtpërdrejtë. “Nëse kjo situatë nuk ndryshon, NASA nuk do të mund ta ketë atë lloj kulture sigurie që do që të ketë, pasi tradicionalisht kostoja dhe efektiviteti nuk u përshtaten qëllimeve të sigurisë”.

Doktor John Clark thotë se NASA duhet të vazhdojë punën dhe të nxjerrë mësime nga vdekja e gruas së tij. “Ajo ishte e dashuruar me hapësirën. Sa herë e shihja asaj ja shkëlqente fytyrën një buzëqeshje. Për të do të ishte e papranueshme nëse humbja e saj do të bënte që të merrte fund i gjithë programi. Ne duhet të ecim përpara”.

Ai thotë se eksplorimet dhe zbulimet e kanë një kosto, por kjo nuk do të thotë që të hiqet dorë prej tyre.

//rd//

XS
SM
MD
LG