Lidhje

Koreja e Veriut i cilësoi bisedimet e Pekinit si të padobishme dhe të dëmshme - 2003-08-30


Koreja e Veriut i cilësoi bisedimet 6-palëshe lidhur me programin e saj të armëve bërthamore si të padobishme dhe të dëmshme, ndërkohë që vendet e tjera pjesëmarrëse në bisedimet e kësaj jave thanë se ato përbëjnë përparim.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Koresë së Veriut, një zëdhënës i paidentifikuar i ministrisë së jashtme tha sot se bisedimet ishin pakuptim dhe se Penjani nuk ka rrugë dalje tjetër veçse të përforcojë masat për parandalimin e një sulmi bërthamor. Këto komente të vijës së ashpër pasojnë komente të ngjashme nga delegacioni koreano-verior në bisedimet e Pekinit.

Analistët politikë thonë se deklaratat e Koresë së Veriut përbëjnë një përpjekje për të ushtruar trysninë ndaj Shteteve të Bashkuara që të bëjnë lëshime.

Ndërkaq, ministria e jashtme e Kinës bëri një deklaratë në të cilët shfaqte shpresë se të gjitha palët do të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me ambicjet bërthamore të Penjanit.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit James Kelly tha se palët pjesëmarrëse i filluan mirë bisedimet, por ai shtoi se mbetet shumë punë për t’u bërë. Në takim morën pjesë delegacione edhe nga Japonia, Rusia dhe Koreja e Jugut.

Në bisedime nuk u arritën marrëveshje, por pjesëmarrësit thanë se të gjitha palët ranë dakord të takohet përsëri para fundit të vitit.

//ze//

XS
SM
MD
LG