Lidhje

Kandidatët demokratë u shmangen kritikave ndaj njëri-tjetrit - 2003-09-06


Presidenti Bush u vu në qendër të kritikave në debatin e parë zyrtar mes demokratëve që pretendojnë ta sfidojnë atë kur të rikonkurrojë vitin e ardhshëm. Por kandidatët demokratë në përgjithësi iu shmangën kritikave ndaj njëri-tjetrit:

Tetë prej nëntë kandidatëve demokratë morën pjesë në debatin e mbajtur në New Mexico. Aktivisti i të drejtave të njeriut Al Sharpton nuk arriti të merrte pjesë, për shkak të një vonese me avionin e tij.

Ndoshta kritika më e fortë iu bë Presidentit nga anëtari i Kongresit prej Missourit, Richard Gephard, i cili sulmoi ashpër mënyrën sesi po e përballon administrata situatën në Irakun e pas luftës.

“Ne duhet të krijojmë një koalicion ndërkombëtar për ta bërë një gjë të tillë. Ky president është një dështim i turpshëm, është një dështim i turpshëm”, tha ai i pasuar nga brohoritje dhe duartrokitje.

Ja ç’thotë lidhur me fjalët e zotit Gephardt, analisti politik i Universitetit të Virginias, Larry Sabato:

“Kritikat e flakta anti-Bush të Dick Gephardtit ishin ndoshta më ekstreme se ato të gjithë të tjerëve dhe një gjë e tillë pëlqehet nga simpatizantët demokratë. Nuk është çështja se ata thjesht nuk e pëlqejnë George Bushin, ata e urrejnë atë dhe ata duan t’i përgjigjen një kandidati që e urren atë po aq shumë”, thotë ai.

Është pikërisht kënaqja e këtij zemërimi demokrat që e nxorri papritur ish-guvernatorin e Vermontit Howard Dean në krye të anketave të opinionit publik në shtetet e para kryesore ku do të fillojnë zgjedhjet për kandidatin brenda partisë, Iowa dhe New Hampshire.

Gjatë debatit, ashtu si demokratët e tjerë ai i kërkoi presidentit që të punojë më nga afër me Kombet e Bashkuara dhe aleatët amerikanë në rindërtimin e Irakut.

“Unë që në fillim besoja se ne nuk duhej të shkonim në Irak pa i patur Kombet e Bashkuara si partner. Dhe në këtë situatë, për fat presidenti po fillon të shohë dritën. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë të vetëm”, tha ai.

Meqenëse Howard Dean mund të bëhet kandidati kryesor për demokratët, pritej që ai të vihej në shënjestër nga rivalët e tij. Por përveç shkëmbimeve të vogla, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Senatori i Konektikatit, Joseph Lieberman kundërshtoi një deklaratë që zoti Dean bëri për marrëveshjet e tregëtisë, ndërsa anëtari i Kongresit nga Ohio Dennis Kucinich nuk i dha shumë rëndësi mburrjeve të ish-guvernatorit lidhur me balancimin që i kishte bërë buxhetit të shtetit të tij.

Ndërsa guvernatori demokrat i New Meksikos, Bill Richardson u habit që rivalët nuk e sulmuan ashpër Howard Deanin, analisti politik Stuart Rothenberg këtu në Washington nuk u befasua nga një gjë e tillë. Ai thotë se nëntë demokratët duhet që në fillim të konsolidohen si kandidatë të pranueshëm, para se të sulmojnë rivalët e tyre.

“Debatet do të nxehen me të vërtetë dy javët e para të janarit, para takimeve të komitetit drejtues të partisë në Iowa. Pas kësaj do të jetë e qartë për kandidatët nëse duhet vërtet të sulmojnë Howard Deanin. Por mendoj se në javët e ardhshme ata do të jenë të kujdesshëm në qëndrimet ndaj njëri-tjetrit. Në fillim ata po përpiqen të krijojnë një imazh të përcaktuar për veten e tyre, para se të fillojnë me konkurrencën”, thotë ai.

Debati i New Meksikos ishte i pari mes gjashtë të tillëve të organizuara nga Partia Demokratike, kështu që kandidatët do të kenë shanse të mjaftueshme që të kritikojnë njëri-tjetrin para se të hidhen votat e para për zgjedhjen e kandidatit brenda partisë. //kk//

XS
SM
MD
LG