Lidhje

Shqiperia dhe korridori 8 - 2003-09-08


Dyshime të forta mbi të ardhmen e korridorit 8 dhe financimin e tij nga Bashkimi Europian. Në qershor të këtij viti, një raporti i ish komisionerit europian Karel Van Miert, për rrjetet infrastrukturore të Evropës, nuk e përfshin këtë korridor në projektet që do të marrin një financim të shpejtë e që dihet të përfundojnë brenda vitit 2015 apo 2020. Vetëm ndërtimi i një hekurudhe që nis në Bari dhe më pas vazhdon në Durrës Sofje dhe Varna, është në listën e financimeve të mundshme. Ky fakt u bë i njohur nga shtypi i këtushëm por edhe ai italian, për shkak të protestave të jugut të Italisë i cili është pjesë e korridorit 8.

Sot ministri shqiptar i transporteve Spartak Poçi deklaroi se qeveria shqiptare e ka vlerësuar dhe e vlerëson korridorin 8, si të një rëndësie të vecantë dhe se për këtë janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme si në aspektin politiko diplomatik ashtu dhe në atë praktik. Ministri Poçi ka përmendur ndërhyrjet konkrete në sistemin e infrastrukturës rrugore që Shqipëria ka bërë në disa segmente të këtij korridori si dhe projektet që janë për portin e Durrësit apo linja hekurudhore. Ai ka njoftuar edhe për një takim që do të bëhet pas 10 ditësh në Bari, mes ministrave të transportit të vendeve të korridorit 8. Një takim që bëhet një vit pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit për këtë korridor.

Ministri Poçi spjegoi sot se shpreson që Bashkimi Europian të miratojë financimin e pjesëve të rëndësishme të korridorit 8. Shqipëria në të vërtetë, mbështeti shumë shpresa te Italia, si një vend i interesuar drejtpërdrejt për këtë rrjet infraktrukture mjaft të rëndësishëm për vendin. Por duket se edhe qeveria italiane, ka këmbëngulur më së shumti për korridorin 5 qe nis nga Triestja. Dhe ky fakt e vë shumë në pikëpyetje, të ardhmen e afërt të korridorit 8 tek i cili Shqipëria shihte një mundësi shumë të madhe zhvillimi.

XS
SM
MD
LG