Lidhje

SHBA dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale - 2003-09-15


Gjykata Ndërkombëtare Penale zhvilloi javën që kaloi seancën e saj të dytë në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York. Në kalendarin e saj janë emërimi i një zëvendësprokurori dhe caktimi i një buxheti. Në materialin që do të ndiqni tani, shpjegohet se pse Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë me forcë gjykatën:

Në qershor, në një ceremoni solemne në Hagë, Luis Moreno-Ocampo bëri betimin si kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale të porsakrijuar.

Gjykata Ndërkombëtare Penale u krijua si një gjykatë e përhershme për të gjykuar krimet që bota i sheh të përsëriten gjithmonë: genocidi, krimet e luftës kundër civilëve, përfshirë vrasjen, torturën, përdhunimin, dëbimin dhe skllavërinë, si edhe krimet e agresionit. Përkrahësit e gjykatës thonë se ajo do ta bëjë botën më paqësore, pasi krerët e shteteve dhe ushtritë do të jenë më të përgjegjshme për veprimet e tyre.

Ja ç’thotë Luis Moreno-Ocampo:

“Është e vetmja shpresë për botën, sepse dhuna masive nuk mund të kontrollohet vetëm nga sistemet kombëtare. Ne duhet të shkojmë më tej”.

137 vende e kanë nënshkruar traktatin. 92 e kanë ratifikuar, por administrata e presidentit Bush e kundërshton me forcë gjykatën, duke thënë se ajo mund të bëhet një vegël për gjyqe politike. Christofer Preble i Institutit CATO në Washington shpjegon:

“Këtu në Shtetet e Bashkuara ekziston shqetësimi se forcat amerikane dhe forcat e angazhuara në operacione paqeruajtëse, do të bëhen subjekt i asaj që amerikanët e quajnë ndjekje penale të motivuar politikisht. Me fjalë të tjera, ata që do të donin të shprehnin armiqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, mund të përpiqen të ngrenë padi ndaj ushtarëve tanë dhe Shtetet e Bashkuara nuk duan që këta njerëz të vuajnë pasojat e një ndonjë mosmarrëveshjeje diplomatike”.

Disa ekspertë thonë se gjykata mund të kthehet në një instrument për të nxitur antiamerikanizmin në gjithë botën. Njëri prej tyre është Jack Spencer i Fondacionit Heritage:

“Nuk ka vend në botë më të angazhuar në marrëdhënie dhe ndërhyrje ndërkombëtare dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Po ashtu është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara janë vendi që kritikohet më ashpër dhe unë mendoj që shpesh kjo bëhet padrejtësisht”.

Dhe sipas tij këta dy faktorë, do t’i bënin Shtetet e Bashkuara më të ekspozuara ndaj ndjekjes penale nga Gjykata Ndërkombëtare. Mes shqetësimeve të tjera është edhe fakti që gjykata nuk garanton po aq të drejta për qytetarët amerikanë, sa ç’u garanton atyre Kushtetuta amerikane, siç është për shembull e drejta për t’u gjykuar nga një juri prej të barabartësh. Jack Spencer shpjegon:

“Nuk e di se cilët janë këta gjykatës, unë nuk kam votuar për ta dhe as për njerëzit që i caktuan këta gjykatës. Njerëzit për të cilët kam votuar unë nuk e nënshkruan traktatin që do të më bënte të ndjeja ndonjë detyrim ndaj këtyre gjykatësve. Unë nuk jam i detyruar të dal përballë akuzuesit tim në Gjykatën penale dhe as të gjykohem nga një juri e saj. Këto gjëra sipas meje nuk përputhen me sistemin gjyqësor amerikan”.

Jack Spencer thotë se gjykata shkel Konventën e Vienës mbi Ligjin e Traktateve, kur deklaron se mund të ndjekë penalisht edhe qytetarë të vendeve që nuk e njohin autoritetin e saj.

Shtetet e Bashkuara duan që amerikanët të përjashtohen nga juridiksioni i gjykatës dhe kanë pezulluar financimet ushtarake për një numër vendesh, mes së cilave edhe aleatë të rëndësishëm që nuk kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe imuniteti për shtetasit amerikanë. Ben Ferenc, avokat dhe mbrojtës i flaktë i gjykatës ndërkombëtare nuk është dakord që gjykata do t’u trajtonte ndryshe amerikanët.

“Mendimi se kjo gjykatë do të vinte dikë në shënjestër pa të drejtë, nuk ka bazë”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Ben Ferenc, atëherë i ri u bë kryeprokuror i palës amerikane në Nuremberg. Ai paraqiti akuzat në proceset kundër Herman Geringut dhe Rudolf Hesses, si edhe drejtuesve të tjerë nazistë.

“Kontributi më i madh i gjykatës së Nurembergut ishte se dënoi luftën agresive, luftën vetë si një krim të rëndë ndërkombëtar. Dhe ata udhëheqës që hapin një luftë duhet ta dinë që nëse janë përgjegjës për këtë krim ndërkombëtar, do të vuajnë pasojat”.

Zoti Ferenc thotë se Gjykata Ndërkombëtare penale nuk do të ketë autoritet mbi trupat apo diplomatët amerikanë nëse ata nuk kryejnë krime që bien në juridiksionin e saj. Madje edhe në një rast të tillë, Shteteve të Bashkuara do t’u jepet mundësia që të gjykojnë shtetasit e vet. Zoti Ferenc thotë se nuk mendon që gjykata do të pranojë të gjykojë raste pa baza dhe të motivuara politikisht.

“Argumenti i shtruar nga kundërshtarët e gjykatës, sipas së cilit prokurori nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli, thjesht nuk qëndron. Në historinë njerëzore nuk ka patur ndonjëherë prokuror aq të kontrolluar, sa prokururi i kësaj gjykate”.

Ai thotë se prokurorit i duhet t’u përgjigjet të gjitha vendeve që e mbështesin gjykatën, si edhe gjykatësve që miratojnë çështjet. Kur prokurori i gjykatës bëri betimin, Ben Ferenc mbrojti vendet, si për shembull vendin e tij, që e kundërshtojnë gjykatën.

“Është i kuptueshëm fakti që jo të gjitha vendet sovrane ta pranojnë krijimin e saj”, thotë Ferenc.

Ai shpreson se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Gjykatën Ndërkombëtare Penale, sapo ajo të japë prova që është e drejtë dhe e asnjanëse.

“Ne jetojmë në një shoqëri ku çdo vend ka varësi nga një vend tjetër, ku komunikimi bëhet në çast, ku nuk mund të kesh paqe në gjithë botën nëse nuk ka paqe kudo”.

Dhe kjo, sipas tij kërkon ligje të qarta dhe gjykata që t’i interpretojnë këto ligje dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet. Gjykata Ndërkombëtare Penale pritet të fillojë gjykimin e çështjeve të saj të para nga fundi i këtij viti.

//rd//

XS
SM
MD
LG