Lidhje

Majers: Kosova vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme - 2003-09-17


Përgjegjësitë për sigurinë në Kosovë duhet të kalojnë ngadalë në duart e autoriteteve vendore, tha të merkurën shefi i shtatmadhorisë së Shteteve të Bashkuara, gjenerali Richard Myers. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në kampin e paqeruejtësve amerikanë në Bondsteel afër Ferizajt, duke vlerësuar lartë përparimet që janë arritur në Kosovë pas ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare, megjithë incidentet e kohëve të fundit.

“Ka ende mjaft sfida në Kosovë, ndërsa ushtarakët shpresojnë që forcat civile të marrin përsipër më shumë punë, siç janë forcat e policisë, sistemi i drejtësisë etj. Pas do kohësh mbase nuk do të jenë të nevojshëm kaq trupa sa ka aktualisht në Kosovë, tha gjenerali Myers, duke tërhequr vërejtjen se kjo është në duart e NATO-s, e cila do të bëjë vlerësimet rreth gjendjes së sigurisë.

Ai nuk bëri ndonjë koment rreth pohimeve të disa agjencive të lajmeve për shqyrtimin e mundësive, që një forcë evropiane të zëvendësojë në të ardhmen trupat e NATO-s në Ballkan. Ai theksoi se forcat paqëruajtëse janë këtu për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe për të mundësuar një qeverisje të mirë.

Gjenerali Myers tha se trupat amerikane kanë fituar me kohë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe një mësim i tillë është zbatuar edhe në Afganistan e Irak. Ai, tha se 70 për qind e irakianëve besojnë në një jetë më të mirë të tyre brenda pesë viteve të ardhshme, ndërsa dy të tretat e tyre duan që trupat amerikane të qëndrojnë atje të paktën edhe për një vit.

“Perkundër asaj çfarë mund të lexohet në gazeta, qytetarët e Irakut duan një jetë më të mirë dhe jo kthim në periudhën e vuajtjeve dhe torturave që kanë përjetuar gjatë sundimit të Sadam Huseinit”, tha gjenerali Myers.

XS
SM
MD
LG