Lidhje

Gashi : Pavarësia e Kosovës - faktor stabiliteti në Evropën Juglindore - 2003-09-22


Nesër në New York Grupi i Kontaktit do të diskutojë për kohën dhe vendin e bisedimeve të pritshme midis Beogradit dhe Prishtinës. Por si i sheh dhe sa e përgatitur është pala shqiptare për to? Për të diskutuar për këto dhe çështje të tjera, Zëri i Amerikës intervistoi Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, a mund të na njihni fillimisht me synimin e vizitës suaj në Uashington?

A.Gashi: Me ftesë të Kongresit Amerikan, kam ardhur për të biseduar me Komitetin për Politikën e Jashme, me Këshillin për Sigurinë Kombëtare, si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, për gjendjen aktuale në Kosovë, në përpjekje për të vazhduar progresin institucional në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga shqetësimet që keni ju dhe që keni dëshishirë t’ua shprehni anëtarëve të Kongresit Amerikan?

A. Gashi: Mendoj se qëllimi i qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, interesi i përgjithshëm i qytetarëve të Kosovës, përputhet me interesin e qytetarëve amerikanë dhe administratës amerikane. Kjo do të thotë se qëllimi i përbashkët është paqja, siguria rajonale, zhvillimi demokratik dhe mbi të gjitha, paqja në atë pjesë të botës. Ndërsa mënyra se si duhet të garantohet kjo: ne për shumë arësye kërkojmë një dinamikë dhe përkushtim se kur do të njihet pavarësia e Kosovës. Ndërsa institucionet e ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe disa qarqe në Uashington, mendojnë se kjo duhet të bëhet më ngadalë.

Zëri i Amerikës: Si ka ndikuar për çështjen e Kosovës zhvendosja e vëmendjes të politikës së jashtme amerikane, duke marrë parasysh zhvillimet pas 11 shtatorit?

A. Gashi: Në nivelin e informimit tim, nuk mendoj se Kosova ka qenë lënë pasdore, pra nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë zhvendosur fokusin. Natyrisht, angazhimi numerik është më i madh në atë pjesë të botës,(shënim:Irak), por ne kemi një mision të shkëlqyeshëm amerikan në Prishtinë, kemi një forcë ushtarake substanciale, kemi investime amerikane me përmbajtje në Kosovë dhe kemi në këtë fazë një ndihmë për zgjedhjen e statusit final, kështu që unë mendoj se vëmendja amerikane ka qenë e vazhdueshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, siç e dini, është hedhur ideja që Bashkimi Evropian të marrë përsipër forcat paqeruajtëse në Kosovë dhe pala shqiptare nuk e ka pritur këtë edhe aq mirë. Si e spjegoni ju këtë?

A. Gashi: Mendoj se ajo që dihet në gjeografi nuk mund të ndryshojë, sepse është fakt që Kosova është në Evropë, por natyrisht, gjatë këtij 100 vjeçari, fatkeqësisht Evropa nuk ka arritur të zgjidhë asnjë konflikt evropian, prandaj është e domosdoshme një fuqi substanciale amerikane për mbajtjen e paqës në Kosovë dhe garancinë e demokracisë në Evropën Juglindore.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, duket se fillimi i bisedimeve paraprake midis Beogradit dhe Prishtinë është çështje javësh dhe jo muajsh. Por siç duket shqipëtarët nuk e kanë pritur me shumë optimizëm fillimin e këtyre bisedimeve.

A.Gashi: Fatmirësisht, tani Kosova është në vitin e dytë të funksioneve demokratike dhe një funsksionim i mirë i tyre, do të thotë se ka presidentin me kabinetin, e ka qeverinë me ministri si dhe ka parlamentin me tërësi me një përmbajtje shumë të fuqishme multietnike. Kështuqë, i kemi të gjitha kushtet që debatohen brenda institucioneve për t’i shprehur pikëpamjet tona. Presidenti, kryeministri dhe kuvendi në tërësi, janë të bindur që Kosova është përpjekur që të jetë e pavarur dhe të vazhdojë ndërtimin e vet, ashtu si vendet e tjera. Kështuqë, pa një përgatitje shumë të fuqishme, ne kemi shumë rezerva sa i përket takimit optik në mes të dy palëve. Ne qëndrojmë fuqimisht se nevojitet ndërmjetsimi amerikan dhe garanca amerikane për implementim eventual të asaj marrëveshjeje teknike, e cila është teknike duhet të zhvillohet në nivel të nëndrejtorëve.

Zëri i Amerikës: Grupi i Kontaktit mblidhet nesër në New York për të diskutuar çështjen e Kosovës dhe mundësinë e fillimit të shpejtë të bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës. Si e shikoni ju daljen përsëri në skenë të Grupit të Kontaktit për Kosovën, kur dihet që ky është takimi i dytë i këtij grupi pas luftës në Kosovë?

A.Gashi: Ne me plot të drejtë kemi pritur që pas dy vjet funsionimi të institucioneve të Kosovës dhe pas krijimit të kushteve që korniza kushtetuese të jetësohet në tërësi, se përfaqësuesit e Kosovës do të jenë ata që në Këshillin e Sigurimit do ta thonë fjalën e tyre për gjendjen në Kosovë. Fatkeqësisht deri më tani nuk ka mirëkuptim institucional nga ana e OKB-së, që presidenti i Kosovës të japë raportin dhe vizionin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Përsa i përket Grupit të Kontaktit, ne nuk mund ta ndërrojmë atë qasje, por jemi të bindur që ata që kanë ndihmuar më shumë në progresin e Kosovës duhet ta kenë fjalën kryesore dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në një masë, sa u përket çështjeve teknike, edhe Bashkimi Evropian. Prandaj rezervat tona ekzistojnë në përgatitje, që do të thotë në ato bisedime nëse ndodhin, ne shkojmë me paragjykim të statusit. Me mandat e kemi statusin e paragjykuar. Ne besojmë në pavarësinë e Kosovës si faktor stabiliteti të Evropës Juglindore, ne besojmë në pavarësi, si mundësi e hapjes së investimeve. Neve na duhet të marrim vendime për 20, 30 apo 50 vitet e ardhshme. Kemi popullatën më të re në Evropë me një moshë mesatare 23 vjeçare. Por sidoqoftë, edhe takimi i nesërm në Nju Jork dëshmon se prosperiteti në Kosovë është i atij niveli, që duhet të shtrohet çështja e statusit. Unë mendoj se çështja e statusit do të zgjidhet shumë më shpejt se sa thonë të tjerët.// lk //

XS
SM
MD
LG