Lidhje

Jeta ne Irak me syte nje gazetari - 2003-09-27


Në Irak, dhuna dhe krimi duket se janë pjesë e jetës së përditshme, ndërkohë që vendi po del nga dekada të tëra lufte dhe shtypjeje. Megjithatë, njerëzit vazhdojnë jetën e tyre dhe një farë normaliteti po kthehet gradualisht.

Disa udhëtarë veshin rripat e sigurisë, ndërkohë që aeroplani me dy motorë vërtitet mbi aeroportin kryesor të Bagdadit.

Brenda 3 minutash, aeroplani përshkon një distancë prej 4 mijë metrash. Udhëtarët mbahen fort në karrike, ndërkohë që piloti u thotë i gëzuar se manovra, që ai bëri kishte për qëllim të shmangte granadat, që hidhen shpesh nga toka në periferi të aeroportit.

Aeroplani merr një kthesë të fortë në fund të pistës dhe i afrohet derës së një hangari. Pasagjerët dalin duke picëruar sytë nga drita e diellit dhe përshëndeten nga një ushtar amerikan.

Mirësevini në Bagdad, thotë ai, dhe i këshillon udhëtarët të mos flasin me ndonjë ushtar dhe të mos bëjnë fotografi, veçanërisht të njerzve të plagosur, që mund të jenë duke pritur për t’u evakuuar.

Pasagjerët kontrollohen, bagazhi i tyre kalon për kontroll nëpër aparatura elektronike dhe ata regjistrohen në një zyrë. Dhoma e pritjes është monotone, por dikush është përpjekur ta bëjë të rehatshme me disa karike dhe vepra arti, që duken sikur janë marrë nga një prej pallateve të Sadam Huseinit.

Sapo kalojnë aeroportin e rrethuar me tela, vizitorët hyjnë në rrugët e Bagdadit, të cilat për habi janë plot trafik. Nëpër rrugë ka vetura, autobuzë dhe kamjonë të ndryshëm. Shumica e automjeteve të reja janë xhipsat e zyrtarëve të koalicionit, punonjësve të organizatave humanitare dhe anëtarëve të elitës së re irakiane.

Arsyeja që ka kaq shumë makinë është se benzina në Irak është shumë e lirë, më e lira në botë, trashëgimi kjo e Sadam Huseinit. Një litër benzinë kushton vetëm një cent amerikan.

Që nga shpërthimet e makinave bombë, të cilat duket se vënë në shënjestër çdo grup, që shikohet se punon me koalicionin e udhëhequr nga amerikanët, siguria është shndëruar në një shqetësim të madh.

Zona e Bagdadit, ku ndodhet pallati kryesor i Sadam Huseinit, qendra ndërkombëtare e konferencave dhe hoteli i famshëm Rasheed, është qendra e autoritetet të koalicionit dhe e qeverisë së përkohshme irakiane. Aty punojnë dhe banojnë udhëheqësit e Irakut të ri.

Ajo quhet zona e gjelbërt, por pamja e saj e përgjithshme është metalike për shkak të pajisjeve ushtarake, prej miliona dollarësh, që e mbrojnë atë.

Për të hyrë në zonën e gjelbërt dhe në një prej godinave të saj, kushdo që nuk ka lejen e koalicionit, duhet të paraqesë dy dokumente identifikimi. Aty ndodhen 4 pika të ndryshme kontrolli dhe çdo vizitor kontrollohet imtësisht dy herë, proces ky që zakonisht zgjat 15 deri në 20 minuta. Në qendrën ndërkombëtare të konferencave, gazetarët mblidhen mbasdite për konferencat e shtypit, ndërkohë që ushtarët amerikanë stërvisin roje të sigurimit.

Dhe përsëri në rrugët e Bagdadit, veturat dhe kalimtarët fillojnë të pakësohen me rënien e diellit. Në muzg shikon disa njerëz duke psonisur. Por në errësirë rrugët janë thuajse bosh dhe duke filluar nga 11 e natës, kur hyn në fuqi ndalim-qarkullimi, rrugët janë krejtësisht të shkreta. //kk//

XS
SM
MD
LG