Lidhje

Bush, Putin: Irani dhe Koreja e Veriut nuk duhen lejuar të zotërojnë armë bërthamore - 2003-09-27


Presidenti Bush dhe homologu i tij rus Vladimir Putin janë të një mendimi se Irani dhe Koreja e Veriut nuk duhen lejuar të zotërojnë armë bërthamore, por Rusia thotë se do ta vazhdojë kontratën e saj për ta ndihmuar Iranin të ndërtojë një central bërthamor.

Dy udhëheqësit diskutuan rreth programeve bërthamore si në Iran edhe në Korenë e Veriut gjatë takimeve të tyre private dy ditore, që përfunduan dje në vend-pushimin presidencial Camp David në periferi të Washingtonit.

Dje, gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin rus Putin, zoti Bush tha se do që t’i dërgojë një “mesazh të qartë, por me respekt Iranit”, siç u shpreh ai, se duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Por udhëheqësi rus nuk u tërhoq nga marrëveshja prej 800 milionë dollarësh që ka Moska me Iranin për ndërtimin e një reaktori bërthamor. Uashingtoni ka shprehur shqetësimin se reaktori mund të përdoret për të zhvilluar armë bërthamore.

Presidentët Bush dhe Putin i bënë gjithashtu thirrje Koresë së Veriut që të braktisë programet e saj të armëve bërthamore.

Por të dy udhëheqësit pranuan se vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje lidhur me Irakun e pas luftës.

Zoti Putin tha se pjesëmarrja e Rusisë në rindërtimin e vendit do të varet nga një rezolutë e re e Kombeve të Bashkuara, që po diskutohet tani. Presidenti rus tha se megjithatë, mosmarrëveshjet e të dy vendeve mbi Irakun nuk i kanë dëmtuar marrëdhëniet mes tyre.

//ze//

XS
SM
MD
LG