Lidhje

Një romancier rus gjen suksesin në Amerikë - 2003-10-04


Pas përkthimit të veprave të shkrimtarit Leon Tolstoi dhe shkrimtarëve të tjerë klasikë rusë, në Shtetet e Bashkuara ka një numër të madh lexuesish dhe admiruesish të letërsisë ruse.

Tani, kritikët amerikanë po vlerësojnë lart një romacier të ri rus, i cili shkruan në anglisht dhe ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se dy dekada.

Gary Shteygart është autor i librit satirik ”The Russian Debutante Handbook”, një novelë satirike, e cila zuri vendin e parë në listën e librave më të mirë të vitit të kaluar.

Fjala debutante, zakonisht le të kuptohet imazhin e grave të reja nga familje të pasura, të cilat prezantohen zyrtarisht në shoqërinë e lartë. Debutantja në librin e Gary Shteyngartit, gjithashtu përpiqet të ngjisë shkallët e shoqërisë së lartë, por ngjashmëria përfundon pikërisht këtu:

“Debutanti rus, është Vladimir Girshkin, një emigrant, i cili vjen në Amerikë pothuajse në të njëjtin vit që kam ardhur unë, kur sovjetikët pushtuan Afganistanin. Ai duket sikur ka ngecur midis dy botësh të ndryshme. Girshkin përpiqet me entuziazëm të përfshihet në botën akademike të New Yorkut, shumë prej të cilëve janë pasanikë. Por ai nuk është i aftë të integrohet në këtë shoqëri dhe e ndjen veten të huaj, e megjithatë, kudo që shkon, ndjen ngrohtësinë e njerëzve që e rrethojnë. Mendoj se kjo është gjendja që përjetojnë shumë imigrantë që vijnë në Shtetet e Bashkuara, qofshin këta nga Rusia, India, apo ngado qoftë, për arsye se në një farë mënyre, njerëzit lindin me dëshirën për t’u përshtatur në shoqëri”, thotë shkrimtari.

Në librin “The Russian Debutante’s Handbook”, Gary Shteyngart është stereotipi i imigrantit që punon shumë, dhe që është i vendosur të arrijë sukses. Pikërisht këtë kanë bërë prindërit e Vladimir Girshikinit. Ata e kanë braktisur jetën e tyre si intelektualë të njohur të Leningardit, sot Shën Petërgurgu dhe banojnë në një shtëpi të shtrenjtë në një lagje të pasur të New Yorkut. Por Vladimiri ka mbetur në një punë pa të ardhme, si punonjës i një agjencie të shërbimeve sociale të New Yorkut. Nëna e tij e quan atë ”Failurjka”, apo ”I dështuari im i vogël”.

Por e ardhmja e errët e Vladimirit merr një kthesë të papritur, kur ai takon disa gangsterë rusë dhe përfundon në një qytet imagjinar të Evropës Lindrore, të quajtur Prava, që të kujton në një farë mënyre Pragën. Atje ai përfshihet në një veprimtari për mashtrimin e të mërguarve të pasur amerikanë. Autori Gary Shteyngart thotë se librin e tij ai e mbështet në eksperiencën personale, duke filluar që nga vitet e fëmijërisë. “Askush nuk donte të kishte shoqëri me fëmijët rusë. Në Shtetet e Bashkuara ishin shfaqur një numër filmash, ku rusët shiheshin si armiq. Në ato vite fëmijët nga Rusia, përjetonin shumë trauma. Tani unë jam i lumtur që kam fëmijë të farefisit tim nga Rusia, të cilët vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe jeta për ta tani është shumë më e lehtë se e jona dikur”, thotë shkrimtari.

Në romanin e tij të ardhshëm, Gary Steyngart ka në plan të përshkruajë me nota komike një rajon pranë vendlindjes së tij. Ngjarjet do të zhvillohen në një qytet të quajtur Absurdistan, një republikë imagjinare, e pasur në rezerva nafte, pranë Detit Kaspik. Shkrimtari Steyngart gjithashtu shpreson të shkruajë një tjetër roman, lidhur me ”debutantin” Vladimir Girshkin dhe jetën e tij jashtë ish-Bashkimit Sovjetik.//kk//

XS
SM
MD
LG