Lidhje

Këshilli qeverisës i Irakut nuk pranon trupa nga vendet fqinje - 2003-10-08


Anëtarët e Këshillit Qeverisës të Irakut i kanë thënë administratorit amerikan, Paul Bremer, se ata nuk duan trupa nga Turqia apo vende të tjera fqinje që të bashkohen me forcat e koalicionit në Irak.

Por këshilli i emëruar nga Shtetet e Bashkuara nuk ishte në gjendje ta bindëte zotin Bremer gjatë takimit të djeshëm që ta tërhiqte kërkesën për 10 mijë trupa turke.

Një nga anëtarët tha se këshilli vazhdon të shpresojë për arritjen e një kompromisi për t’i prerë rrugën konfrontimit me amerikanët. Zoti Bremer propozoi që kjo çështje të diskutohet edhe më tej, por tha se vendimi përfundimtar i përket Autoritetit Provizor të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, në Uashington, Presidenti Bush mbrojti luftën kundër Irakut duke thënë se “Amerika bëri atë që duhej”. Në një takim të republikanëve për mbledhjen e fondeve mbrëmë, Presidenti Bush u zotua se Shtetet e Bashkuara do t’i “përmbahen kursit të tyre” në Irak dhe do të përpiqen të sjellin stabilitetin në vend.

Ai tha gjithashtu se administrata e tij do të vazhdojë të luftojë terrorizmin ndërkombëtar. Më parë, dje, këshilltarja për çështjet e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice, mbrojti luftën, duke thënë se udhëheqësi irakian, Saddam Hussein, ishte kërcënim për gjithë botën.

Këto deklarata bëhen në valën e fushatës së administratës për të mbrojtur luftën dhe për të vënë në dukje përparimin e bërë për stabilizimin e Irakut. Sondazhet e kohëve të fundit të opinionit tregojnë se mbështetja për punën e presidentit Bush ka rënë për shkak të shqetësimeve për Irakun.//ic//

XS
SM
MD
LG