Lidhje

Njoftime shkencore nga mjeksia - 2003-10-14


Dy arritje shkencore po bëjnë bujë këto ditë: së pari binjakët egjiptianë që ishin të bashkuar në kokë dhe që u ndanë pas një operacioni maratonë.

Mjekët janë optimistë por thonë se binjakët ende nuk janë jashtë rrezikut. Së dyti: një ilaç i ri i cili ul ndjeshëm mundësinë e përsëritjes së kancerit të gjirit. Rezultatet e një studimi të kryer me këtë ilaç ishin mjaft befasuese

Ahmed dhe Mohamed Ibrahim iu nënshtruan të shtunën një operacioni prej 34 orësh në një spital të Dallasit në shtetin Texas. Pas ndërhyrjes kirurgjikale binjakët dy-vjeçarë ishin ende në gjendje kritike por të stabilizuar. Që të dy u vunë qëllimisht në komë. Kirurgu kryesor, Doctor Kenneth Shapiro, tha se koma do të ndihmojë për të ulur mundësinë e komplikacioneve.

“Planet tona janë që t’i mbajmë ata në gjendje kome për disa ditë. Tani për tani mund të themi se treguesit e tyre jetikë janë të qendrueshëm dhe ne nuk shikojmë shenja të ndonjë problemi mjeksor, tha kirurgu.”

Kur i ati i binjakëve mësoi se ata ishin ndarë me sukses, reagimi i tij i parë ishte një përqafim për mjekun e familjes Doctor Nasser Abdel Al.

“Kur dikush njoftoi se tani të vegjëlit ishin ndarë, i ati, Ibrahimi, kërceu dhe mu hidh në qafë dhe gati sa nuk i ra të fikët. Kështu që na u desh të kujdeseshim për të. Ai tha se as që e kishte ëndërruar një çast të tillë më parë.”

Mjekët e dinë se binjakët ende nuk janë plotësisht jashtë rrezikut. Doctor James Thomas thotë se dy kërcënimet më të mëdha tani për tani janë dëmtimi i trurit dhe infeksionet.

“Por për të kuptuar plotësisht dëmin që mund të kenë pësuar ata gjatë operacionit dhe shanset për shërim, do të duhen disa javë ose disa muaj, thotë mjeku.”

Pasi të nxirren nga gjendja e komës, binjakët do t’i nënshtrohen procesit të rehabilitimit për disa muaj si dhe operacionit për rindërtimin e kafkës. Jeta e tyre në gjendje të ndarë ka filluar dhe po ashtu dëshira e atë atit që ata të bëjnë një jetë normale.

Ja një arritje tjetër shkencore. pas heqjes së kancerit të gjirit me operacion, shumica e pacientëve marrin tamoxifen, një ilaç që ndalon përsëritjen e sëmundjes. Mirëpo sipas studimeve, efekti i tamoksifenit zgjat vetëm 5 vjet pasi më tej tumori i reziston ilaçit.

“Kanceri i gjirit mund të rishfaqet shumë shpejt pas diagnozës ose pas shumë vitesh” thotë doktor Clifford Huddis, specialist për kancerin.

Në një eksperiment me gra që kanë kaluar menopauzën, të cilave iu dha një ilaç i dytë, Letrozole, u pa se shanset për të mos u prekur më nga kanceri ishin dy herë më të larta se sa te gratë që morrën placebo.

“Rezultatet ishin të jashtëzakonshme, thotë mjeku James Ingle. Ato ishin më të mira me ilaçin Letrozol, shumë herë më të mira se sa i kishim parashikuar kur ndërmorrëm studimin në vitin 1997”.

Rezultatet ishin aq të mira saqë studimi u ndërpre më shpejt sesa ishte parashikuar në mënyrë që Letrozolin ta marrin sa më shumë gra. Ky ilaç ul ndjeshëm nivelet e estrogjenit, hormoni që ushqen shumicën e kancerve të gjirit.

Efektet anësore të ilaçit mund të përfshijnë artritin dhe dobësimin e kockave por mjekët shpresojnë që Letrozoli të përmirësojë ndjeshëm jetën e mijëra grave.

XS
SM
MD
LG