Lidhje

ODIHR: Zgjedhjet, progres drejt standarteve ndërkombëtare - 2003-10-14


Misioni i vëzhguesve ndërkombëtar të ODIHR dhe Këshillit të Europës deklaroi sot se zgjedhjet e 12 tetorit në Shqipëri shënuan një progres të mëtejshëm në përputhje me standartet ndërkombëtare, por se megjithatë mbeten për t’u trajtuar një sërë mangësish vecanërisht me listën e votuesve. Lidhur me këtë cështje mjaft të debatueshme, shefi i misionit të vëzhguesve të ODIHR deklaroi se sipas tyre ky problem nuk u shkaktua nga manipulime politike dhe se nuk solli ndonjë efekt material në rezultatin e zgjedjeve

Shqipëria sërish duhet të bëjë hapa të tjerë në mënyrë që të përmbushë plotësisht standartet e njohura ndërkombëtare për zhvillimin e zgjedhjeve. Në raportin paraprak të vëzhguesve të ODIHR dhe Këshillit të Europës bëhen vlerësime për përmirësime të dukshme në procesin zgjedhor, por duke theksuar nga ana tjetër, nevojën për korrigjime të problemeve që nuk kanë munguar të shfaqen.

Ambasadori Robert Barry, shef i misionit të vëzhguesve të ODIHR i cili lexoi dhe raportin paraprak u rezervua të jepte cilësime specifike nëse zgjedhjet ishin apo të lira dhe të ndershme, duke u mjaftuar vetëm në konstatimin se ato kanë shënuar progress: “Zgjedhjet e 12 tetorit për pushtetin vendor në Shqipëri shënuan një progres të mëtejshëm në përputhje me standartet dhe angazhimet e OSBE-së, Këshillit të Europës dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë për zgjedhjet demokratike. Megjithatë mbeten për t’u trajtuar një sërë mangësishë përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, vecanërisht me listën e votuesve e cila vazhdoi të mbetet problematike”.

Sipas raportit të vëzhguesve rishikimi jo koherent i listës përfundimatre nga Komisionet Zonale dhe gjykatat e rretheve, përfshire dhe amendamentet nga KQZ, të kryera deri në prag të zgjedhjeve, solli pasiguri dhe konfuzion. Megjithatë sipas ambasadorit Barry, kjo nuk ka ardhur nga motive politike dhe nuk ka patur efekte në rezultat: “Ne nuk besojmë se problemi me listat e votuesve u shkaktua nga manipulime politike. Ne e kemi pare me kujdes këtë cështje dhe nuk kemi gjetur prova në këtë drejtim. Megjithatë ne mbetemi të hapur për të pranuar prova nga cdo anë e kësaj cështjeje deri kur ne të vazhdojmë të jemi këtu. Ne besojme se problemet me listat ishin për të ardhur keq por ato nuk kanë një efekt konkret mbi rezultatin e zgjedhjeve”.

Në raportin e vëzhguesve vlerësohet aktiviteti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tyre ky komision i “ka administruar zgjedhjet përgjithësisht në mënyrë profesionale, transparente, madje dhe objektive, pavarësisht nga kundërshtimet e fuqishme për mungesën e presupozuar të barazpeshës politike”.

Vëzhguesit kanë shprehur shqetësim për procesin që ka pasuar mbylljen e votimeve në qytetin e Tiranës dhe Durrësit: “Disa nga KZQV nuk po funskionojnë në mënyrën e duhur për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive politike dhe anëtarëve të tyre ne komisione. Ne i bëjmë thirrje KQZ dhe partive politike të marrin masa për të përfunduar procesin e numërimit brenda afateve ligjore të përcaktuara nga Kodi elektoral. Ligji përcakton hapat që duhen marrë për të kundërshtuar rezultatin, prandaj duhen ndjekur këto hapa, ne vend që thjesht të bllokohet procesi”, shpjegoi ambasadori Barry.

Mbyllja e numërimit dhe përpilimi statistikor i rezultateve, shpallja përfundimtare e rezultateve paraprake dhe ato përfundimtare nga KQZ si dhe procesi i ankimeve dhe apelimeve, do të ndikojnë për raportin përmbyllës të Vëzhguesve. “Vlerësimi përfundimtar - saktësoi ambasadori Barry - do të varet nga fakti se sa shpejt mbaron ky proces dhe se sa mirë do të funksionojë më pas procesi i ankesave”.

//rd//

XS
SM
MD
LG