Lidhje

D. Serwer: Bisedimet duhet të ishin përgatitur më mirë - 2003-10-17


Komuniteti ndërkombëtar i përshëndeti si një fillim i mirë bisedimet Prishtinë-Beograd për çështjet teknike që nisën këtë javë në Vjenë. Por a ishte dialogu i përgatitur si duhet nga komuniteti ndërkombëtar? Për këtë dhe çështje të tjera, kolegu ynë Ilir Ikonomi intervistoi analistin e Institutit amerikan të Paqes, Daniel Serwer.

Zëri i Amerikës Hapja e bisedimeve nxori në pah se sa e vështirë është t’i ulësh shqiptarët she serbët në një tryezë, qoftë edhe për çështje praktike. A mendoni se fillimi i dialogut ishte përgatitur si duhet dhe sa duhet nga komuniteti ndërkombëtar?

D. Serwer E rëndësishme është se ky ishte një fillim. Mendoj se gjërat mund të ishin përgatitur diçka më mirë, sepse gjithnjë mund të përgatitesh më mirë nëse ke më shumë kohë. Por fakt është se ky ishte një fillim dhe ajo që ka rëndësi tani është të vazhdohet me përgatitje seriozepër çështjet teknike. Megjithatë, në Prishtinë ende ka një problem politik që duhet zgjidhur. Problemi është se parlamenti nuk e mbështeti plotësisht delegacionin që shkoi në këto bisedime dhe kjo duhet zgjidhur. Parlamenti e bëri të qartë se nuk donte të miratonte një rezolutë që ta mbështeste delegacionin dhe ndërkombëtarët në prapaskenë u përpoqën ta evitonin këtë rezolutë që bënte thirrje për pavarësinë e Kosovës. Kjo ishte një situatë shumë e vështirë politikisht, sidomos për kryeministrin, i cili u kritikua se nuk mori pjesë në bisedime por mendoj se nëse ai do të kishte shkuar, kritikat do të kishin qenë më të ashpra dhe më të rrezikshme për të politikisht.

Zëri i AmerikësBeogradi kërkon që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë megjithëse ata e dinë dhe privatisht e pranojnë se kjo nuk do të ndodhë kurrë. A mendoni se kjo është një pozë politike e Beogradit dhe sa po ndikon ajo në pengimin e dialogut.

D. Serwer Natyrisht që kjo e bën dialogun të vështirë. Mendoj se ajo që pranon Beogradi është se ai nuk mund ta qeverisë më Kosovën në të ardhmen dhe se Kosova të paktën do të vetqeveriset, në një mënyrë apo në tjetrën. Ky është një hap i rëndësishëm por mendoj se tani për tani është shumë e vështirë të pranohet publikisht ose me ndonjë marrëveshje. Prandaj tani nuk mund të zhvillohen dot bisedime për statusin përfundimtar pa patur fillimisht bisedime për çështje praktike të cilat do të krijonin besimin midis palëve si dhe do të mundësonin bisedimet mbi statusin përfundimtar pas pak vitesh, shpresoj aty nga viti 2005.

Zëri i Amerikës Kryeministri Bajram Rexhepi nuk mori pjesë në hapjen e bisedimeve dhe natyrisht që ai përfaqëson një pjesë të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës. Por a mundet që komuniteti ndërkombëtar të shpresojë që shqiptarët do të marrin pjesë plotësisht në dialog pa patur sigurime nga komuniteti ndërkombëtar për të ardhmen e tyre?

D. SerwerMendoj se ata duhet të bien dakord të bisedojnë edhe pa marrë sigurime për të ardhmen pasi është e qartë, mendoj unë, se shqiptarët nuk do të qeverisen më nga Beogradi dhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme për momentin. Nuk mund të ketë status përfundimtar para se të zgjidhen disa çështje praktike midis Beogradit dhe Prishtinës.

Zëri i Amerikës Shumë njerëz shtrojnë pyetjen se a do a të çojnë këto bisedime në negociatat për statusin përfundimtar. Çfarë duhet të bëjë komuniteti ndërkombëtar që të arrihet kjo?

D. SerwerKjo do të varet nga ajo që do të bëjnë shqiptarët dhe serbët. Ka rëndësi që të dyja palët të bëjnë shumë përgatitje për statusin përfundimtar. Për shembull, nuk mund të kesh bisedime për statusin midis Prishtinës dhe Beogradit nëse refugjatët serbë nuk trajtohen mirë pasi të jenë kthyer. Po ashtu, nuk mund të kesh bisedime të tilla nëse Beogradi nuk e ndërpret mbështetjen për institucionet paralele në Kosovë. Ka disa gjëra që duhen zgjidhur para bisedimeve për statusin. Megjithatë, unë besoj se bisedimet e Vjenës janë fillimi i procesit. Ato formalisht nuk janë parashikuar si bisedime për statusin përfundimtar por në fund të fundit nëse ato do të kenë sukses, hapi tjetër do të jenë bisedimet për statusin. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt, por shumë gjëra do të varen nga dy palët.

XS
SM
MD
LG