Lidhje

Lumnohet Nënë Tereza - 2003-10-19


Papa Gjon Pali i Dytë lumnoi të dielën Nënë Terezën në Sheshin Shën Pjetër të Romës, në praninë e rreth 300 mijë pelegrinëve, mes së cilëve rreth 40 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.

Në një ceremoni që zgjati tri orë e gjysmë, Papa Gjon Pali i Dytë e shpalli Nënë Terezën të lumnuar, hapi i fundit para shenjtërimit në Kishën Katolike. Ati i Shenjtë e quajti Nënë Terezën “një shërbëtore të të varfërve, të Kishës dhe gjithë Botës”.

Lumnimi i Nënë Terezës ishte një moment emocional për mijëra njerëzit e pranishëm. Një seksion gjatë meshës ishte rezervuar për të varfërit dhe të pastrehët.

Papa tha se tek Nënë Tereza, njerëzimi sheh nevojën për t’u shërbyer veçanërisht më të varfërve dhe të harruarve. Ai shtoi se i ishte personalisht mirënjohës asaj gruaje të guximshme, për të cilën ai gjithmonë kishte menduar se e kishte mbështetje.

“Ajo ishte ikona e Samaritanes së mirë. Ajo shkoi gjithandje që t’i shërbente Krishtit për më të varfërit e të varfërve. As konkfliktet dhe luftrat nuk e ndalën dot atë”, tha Ati i Shenjtë.

Zakonisht, procesi për lumnimin e një personi zgjat dhjetra vjet ose edhe shekuj pas vdekjes së kandidatit. Por Papa Gjon Pali i Dytë, për të cilin thuhet se është admirues i madh i Nënë Terezës, vendosi ta shkurtojë këtë proces, pas vdekjes së saj në vitin 1997.

Lumnimi i Nënë Teresës u prit me entuziazëm nga gjithë shqiptarët.

Pasdite qindra shqiptarë u mblodhën në Bazilikën Shën Maria Intranspantino në Romë për të nderuar heroinën e tyre. Mes të pranishmëve ishin presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ish-presidentët Sali Berisha dhe Rexhep Meidani dhe udhëheqës të tjerë fetar.

Ndërkohë Shkodra është zbukuruar me portretet e Nënë Terezës, ndërsa në katedralen e madhe katolike të qytetit u mbajt një meshë e shenjtë në nderim të Nenë Terezës.

Ndihmësarqipeshkvi i Shkodrës Monsignor Zef Simoni, tha se lumnimi i Nënë Teresës është një ndër ngjarjet më të mëdha për të gjithë kombin shqiptar dhe një shenjë ripërtërirje kombëtare.

Festimet me rastin e lumnimit të Nënë Terezës u mbajtën të dielën edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë kryeqytetin Tiranë.

Edhe në Kosovë, ceremonia e lumnimit të Nënë Terezës u ndoq me interesim të madh. Gjatë ditës, në kishat katolike të Kosovës u mbajtën mesha, ndërkaq që u zhvilluan edhe veprimtari të tjera kulturore në nderim të Nënë Terezës. Shumë rrugë, sheshe e institucione në Kosovë mbajnë emrin e saj.//kk//

XS
SM
MD
LG