Lidhje

Rumsfeld shpreson se vendet e tjera do të ndihmojnë rindërtimin e Irakut - 2003-10-22


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, thotë se ka shpresë që vende të tjera, veçanërisht ato të rajonit të Gjirit Persik, do të ofrojnë ndihma të konsiderueshme për rindërtimin e Irakut. Një konferencë ndërkombëtare e vendeve donatore do të zhvillohet këtë javë në Madrid.

Sekretari Rumsfeld thotë se nuk ka bërë parashikime konkrete në lidhje me konferencën ndërkombëtare të vendeve donatore mbi Irakun, megjithatë ai ka shumë shpresa.

”Shpresoj se njerëzit do ta kuptojnë se sa të rëndësishme janë zhvillimet në Irak, se sa vështirë ka qënë që të arrihet përparimi i deritanishëm”, tha Sekretari Rumsfeld.

Duke folur me gazetarët në Pentagon, zoti Rumsfeld thekson se 32 vende kanë dërguar tashmë trupa në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe se Këshilli i Sigurimit sapo ka miratuar një rezolutë e cila u bën thirrje vendeve të tjera të ndihmojnë si me trupa, ashtu edhe me fonde.

Ai thotë se veçanërisht vendet e Gjirit Persik po ftohen për të kontribuar. Zoti Rumsfeld thotë se ato kanë një mundësi të pashembullt për të përmirësuar sigurinë në rajon duke ndihmuar Irakun.

”Mundësia për ta përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme atë rajon të botës është tepër e madhe”, tha Sekretari Rumsfeld.

Zoti Rumsfeld pranon se çdo ofertë e re për të dërguar trupa në koalicionin ushtarak në Irak do të mirëpritet, sepse ato do të ndihmojnë në lehtësimin e barrës mbi 130 mijë forcat amerikane që aktualisht ndodhen atje.

Por, ai thotë gjithashtu se dërgimi i më shumë trupave të huaja për tu bashkuar me 24 mijë trupat, që ndodhen tashmë në Irak, është një mesazh i rëndësishëm.

”Kjo do t’i tregonte popullit irakian se ky është një koalicion me të vërtetë i gjerë dhe se kjo është një çështje ndërkombëtare e jo pushtim, se është çështje e përkohshme, kalimtare”, tha Sekretari Rumsfeld.

Zoti Rumsfeld thotë se po zhvillohen bisedime me Turqinë dhe me të paktën 4 apo 5 shtete të tjera për të dërguar trupa në Irak. Ai nuk tha se cilat janë këto vende.//ii

XS
SM
MD
LG