Lidhje

Skllavëria në kohët moderne - 2003-10-26


”Skllavëria vazhdon të jetë një problem shumë i madh”, tha Drejtori i Zyrës së Departamentit Amerikan të Shtetit që vëzhgon dhe lufton këtë problem në të gjithë botën. Kohët e fundit, zoti Miller, i cili ka shërbyer si anëtar i Kongresit Amerikan nga viti 1985 deri më 1993, bëri një turne nëpër disa vende të botës, përfshirë Rusinë, Greqinë, Tajlandën dhe Greqin, në kuadër të një misioni hetimor.

Në takimet me viktimat, duke dëgjuar tregimet e jetës së tyre, tha zoti Miller, kuptohet se skllavëria është një problem që shtrihet në të gjitha skajet e botës. “Thuajse në çdo vend të botës ekziston një lloj skllavërie, qoftë punë e detyruar apo skllavëri seksuale. Ndoshta diku mund të jetë ndonjë ishull parajse, për të cilin unë nuk jam i vetëdijshëm, ku nuk ekziston ky problem, por me sa di unë, skllavëria ekziston gjithandej. Kemi hyrë në shekullin 21, theksoi zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit dhe skllavëria vazhdon të jetë sfida parësore për të drejtat e njeriut”.

Zoti Miller tha se skllavëria vihet re në vendet me probleme ekonomike dhe shoqërore, por ajo ndodh edhe në vendet ku qeveritë dhe forcat e rendit i mbyllin sytë para këtij problemi dhe e lejojnë atë. “Ka vende që janë burime skllevërish dhe ka vende, të ashtuquajtura ”të përparuara”, që krijojnë ofertën për skllevër. Mendoj se qeveritë në shumë vende kanë filluar të jenë më të vetëdijshme dhe po marrim masa kundër kësaj dukurie. Kështu që unë nuk po them se problemi është keqësuar gjatë një apo dy vjetëve të fundit, por jam i mendimit se ky problem vazhdon të jetë i përmasave të mëdha”. Zoti Miller tha se nuk mund të thotë saktësisht se skllavëria është problem më i madh në një vend sesa në një tjetër. Në Hollandë dhe në të gjitha vendet e zhvilluara, tha ai, skllavëria sekusuale është e përmasave të mëdha. Rusia, për shembull, është burim dhe vendmbërritjeje skllevërish. Greqia është vend tranzitor për skllevër. Suedia, theksoi zoti Miller, po bën ç’është e mundur për zhdukjen e këtij problemi. Në Tajlandë dhe Indi, tha ai, ka qindra mijëra skllevër që vijnë nga vende të tjera apo nga krahina të largëta të këtyre vendeve.

Për zgjidhjen e këtij problemi, tha zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, mund të ndërmerren një numër hapash. Së pari, forcat e rendit mund të intensifikojnë fushatën kundër trafikantëve. Së dyti, qeveritë duhet të hartojnë dhe të zbatojnë programe informimi dhe parandalimi, jo vetëm për viktimat e mundshme, shumë prej të cilave janë fëmijë, por kur bëhet fjalë për skllavërinë seksuale, edhe për myshterinjtë në mënyrë që të pakësohen kërkesat. Zoti Miller tha se mund të bëhet më shumë për të mbrojtur dhe rehabilituar viktimat dhe shtoi se organizatat jo qeveritare po luajnë rol udhëheqës në këtë drejtim. Ish-ligjvënësi amerikan tha se mjetet e informimit duhet t’i kushtojnë vëmendje më të madhe këtij problemi, të rrisin vetëdijen publike, hap ky që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, do të ndihmonte për të shpëtuar jetën e mijëra viktimave të mundshme. //az//

XS
SM
MD
LG