Lidhje

Holkeri: Do të vazhdoj në të njëjta baza ku ishin parardhësit e mi - 2003-10-28


Kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri do të informojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi përpjekjet e deritanishme në Kosovë. Pritet që zoti Holkeri të deklarojë në Kombet e Bashkuara se në Kosovë, rruga për të ecur përpara nuk është aspak e lehtë, por në të njëjten kohë ky mision nuk është i pamundur. Para nisjes për në New York, zoti Holkeri i dha këtë intervistë korrespondentes sonë në Prishtinë, Linda Karadaku.

Zëri i Amerikës: Ju jeni administratori i fundit, por jo i fundit që erdhi të qeverisë Kosovën në këtë periudhë të përkohshme. Secili administrator ka pasur përparësitë dhe standartet e veta. Cilat janë tuajat?

Harri Holkeri: Përparësitë e mia janë sundimi i ligjit, shoqëria shumëetnike dhe ekonomia. Këto janë më të rëndësishmet për momentin që kam në mendje për Kosovën në të ardhmen për zhvillimin e saj.

Zëri i Amerikës: Secili nga administratorët ka pasur përparësitë e veta dhe ndonjëherë duket se nuk ka vazhdimësi. Disa prej tyre kanë pasur përparësi të tjera, disa kanë pasur qëndrim të ndryshëm ndaj udhëheqësve vendorë, disa ishin më liberalë, ose më konservativë. Mendoni se është e rëndësishme të ketë vazhdimësi në punën e tyre me udhëheqësit vendorë dhe institucionet vendore?

Harri Holkeri: Unë kam biseduar me dy prej paraardhësve të mi, zotërinjtë Kushner dhe Shtajner, sigurisht që janë personalitete të ndryshme, por për mendimin tim ka një vazhdimësi. Po të marrim zhvillimet në 4 vitet e fundit, ndoshta ende mund të gjesh më shumë ngjashmëri se sa ndryshime. Nëse sheh ndryshime midis parardhësve të mi, kjo bazohet në faktin se gjithkush ka shkrimin e vet, por mënyra e të menduarit vjen nga Nju Jorku, nga Këshilli i Sigurimit dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Hapësira e administratorit të UNMIK-ut për të manovruar vetë është krejt e kufizuar. Por viti 2003 është krejt ndryshe këtu nga viti 1999. Kështu që do të vazhdoj pothuaj në të njëjta baza ku ishin parardhësit e mi. Sigurisht koha shkon, bota e jashtme lëviz, ndryshon. Një gjë më shqetëson, ka kaq shumë kriza të tjera në botë, Afganistani, Iraku, Lindja e Mesme, Afrika, Azia Juglindore e kështu me rradhë. Komuniteti ndërkombëtar mund të harrojë ndonjëherë se dhembja është ende këtu në Kosovë. Për fat të keq ende nuk e kemi plotësuar misionin tonë, por do të bëjmë të pamundurën për ta plotësuar.

Zëri i Amerikës: Më kujtohet që kur erdhët në Kosovë thatë se synoni të bëheni partner me udhëheqësit vendorë dhe institucionet vetëqeverisëse. A keni arritur ta bëni këtë?

Harri Holkeri: Në shumë aspekte po, por u zhgënjeva që nuk pati pjesëmarrje të plotë të institucioneve në dialogun e Vjenës. Megjithatë, mendoj se do të vazhdojë tani plotësisht në grupet e punës. Mendoj se populli i Kosovës ka nevojë të flitet për çështjet e përditëshme, të cilat janë të përfshira në programin e grupeve të punës. Sigurisht çështje që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, e kam fjalën për energjinë, transportin dhe telekomunikimin, kthimet, të zhdukurit, le të fillojmë me to, le të përpiqemi të zgjidhim çështjet praktike të përditëshme për të mirën e njerëzve që jetojnë këtu.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet kryesore që është diskutuar në Kosovë të paktën që nga viti i kaluar është kalimi i kompetencave nga administrata ndërkombëtare tek institucionet dhe udhëheqësit vendorë. Dëgjojmë shumë ankesa se ky proces nuk po shkon me shpejtësinë e duhur. Cili është komenti juaj?

Harri Holkeri: Varet se si mund të plotësojmë standartet. Parardhësit e mi krijuan moton “standartet para statusit”, kjo është edhe motoja ime. Zhvillimet në atë fushë, në transferimin e kompetencave do të ishin më të lehta dhe dita për zgjidhjen e statusit të Kosovës do të afrohej. Por nëse nuk arrijmë rezultate, statukuoja për fat të keq mbetet dhe kjo është kundër synimeve të mija.

Zëri i Amerikës: A besoni se institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit vendorë nuk janë të gatshëm për këto kompetenca?

Harri Holkeri: Jo nuk mendoj ashtu, por transferimi i kompetencave ka nevojë për përparim në standarte, për shembull dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, është një nga standartet. Duhet të tregojmë rezultate në të që të afrohemi. Por nuk është e lehtë për t’u zgjidhur, është një fakt i qartë politik se është në duart e Këshillit të Sigurimit dhe siç ilustrohet në kornizën kushtetuese, mund të bëhet shumë, por ka një fushë të rezervuar, kapitulli 8 që nuk mund të shkelet. Ka nevojë për vullnetin politik të komunitetit ndërkombëtar dhe kjo mund të bëhet vetëm duke treguar përparim në fushat e tjera.

Zëri i Amerikës: Meqë po flasim për standartet, dialogu me Beogradin nuk është një nga pikat e para në 8 standartet…

Harri Holkeri: Jo, është një prej tyre.

Zëri i Amerikës: Po, një prej tyre. Atëherë pse ishte e nevojshme të fillohej me dialogun, kur nuk është as pika e parë, as e dyta?

Harri Holkeri: Numrat nuk kanë kuptim, nuk janë sipas përparësive. Më lejoni ta them kështu: vitin e kaluar, më 21 qershor, udhëheqësit politikë u angazhuan qartë për dialogun dhe unë trashëgova dialogun si një fakt, dhe madje trashëgova edhe një gjendje ku edhe axhenda ishte dhënë. Erdha në një mjedis ku fjala e dhënë mbahet.

Zëri i Amerikës: Le ti kthehemi ekonomisë për pak çaste. Ka pasur shumë debate për procesin e privatizimit, ai u ndal, pastaj pati një vendim të OKB-së që të vazhdojë por procesi është ndalur në terren. Cila është pengesa?

Harri Holkeri: Kjo është një cështje shumë serioze, ai duhet të vazhdojë sepse është një element bazë në futjen e ekonomisë së tregut që duhet për zhvillimin e Kosovës. Për fat të keq, ka disa pengesa ligjore, pasiguri që nuk mund të zgjidhen me një vendim politik. Nga ana ime, unë po punoj që të eliminohen këto pengesa.

Zëri i Amerikës: Kur flasim për vendime politike, kur punon në Kosovë ke përshtypjen se ka shumë presion nga palë të ndryshme, a jeni ndjerë nën presion deri tani nga ndonjëra nga palët që është e përfshirë në çështjen e Kosovës?

Harri Holkeri: Unë jam mësuar të punoj nën presion, në kushte ku ka elementë kontradiktorë. Kjo nuk është aspak e re për mua. Unë nuk kam ardhur këtu për të bërë ndonjë karrierë politike, nuk kam ardhur për të bërë ndonjë karrierë politike në botë. Kam ardhur për të ndihmuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe njerëzit këtu. Presioni dhe tensioni midis palëve është pjesë e pamjes, është njerëzore. Këtë e kuptoj, por sigurisht është detyra ime të vazhdoj, siç e shoh unë, në mënyrën më pragmatike.

Zëri i Amerikës: Ju do të shkoni në Nju Jork në fund të këtij muaji. A ka diçka të veçantë në lidhje me Nju Jorkun këtë herë? Çfarë do të thoni atje?

Harri Holkeri: Tani po përgatis fjalimin tim në Këshillin e Sigurimit dhe po përpiqem të jem sa më realist. Do t’u them se rruga përpara në Kosovë nuk është e shtruar aspak me trëndafila, por as nuk është një mision i pamundur. Ka shumë fusha ku mund të arrihen rezultate. Po ta krahasosh gjendjen e tashme me 4 vjet më parë, ajo tregon se me bashkëpunim dhe partneritet të mirë, mund të arrihet shumë.//ii

XS
SM
MD
LG